Lidhje

NATO thotë se ka kryer një prove të suksesshme të sistemit të mbrojtjes nga raketat


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, thotë se aleanca ka kryer një provë të suksesshme të sistemit të mbrojtjes nga raketat për Europën.

Në një koment në gazetën The Wall Street Journal, zoti Rasmusen thotë se NATO-ja ka në plan të deklarojë një "kapacitet të përkohshëm" të sistemit kundër raketave balistike në një konferencë që do të zhvillohet këtë muaj. Ai tha se sistemi do të vazhdojë të jetë "i kufizuar", por ky zhvillim do të shënojë hapin e parë drejt mbulimit nga sistemi të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s në Evropë.

Zoti Rasmussen theksoi kërcënimin e raketave balistike, duke thënë se më shumë se 30 vende kanë tani një teknologji të tillë. Ai tha se ndërsa NATO-ja preferon të zgjidhë problemet në rrugë diplomatike, aleanca duhet të jetë në gjendje t'i përgjigjet një "agresori" që refuzon këto përpjekje.

Rusia e ka kundërshtuar sistemin e mbrojtjes nga raketat në Evropë që në fillim, duke thënë se ai kërcënon sigurinë e Rusisë. Ministri rus i mbrojtjes tha në fillim të muajit se Rusia, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë gjetur një "zgjidhje të pranueshme."

XS
SM
MD
LG