Lidhje

NATO konfirmon objektivat e kalimit të pushtetit në Afganistan

  • Dan Robonson

Presidenti amerikan Barack Obama shprehu besim në aftësinë e Afganistanit për të marrë përgjegjësinë e plotë për të drejtuar forcat e sigurisë në vitin 2014, ndërsa udhëheqësit e NATO-s u takuan në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të nivelit të lartë të aleancës në Çikago.

Presidenti tha se tranzicioni ka filluar me kohë, por u zotua se komuniteti ndërkombëtar nuk do ta braktiste Afganistanin ndërsa përpiqet të marrë kontrollin e sigurisë së vet.

Kreu i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha se në fund të vitit 2014, faza luftarake e udhëhequr nga NATO do të përfundojë. Ai tha se afganët kanë filluar udhëheqjen e operacioneve të sigurisë në gjysmën e territorit të vendit dhe duket se do t’i plotësojnë objektivat kohore për vitin e ardhshëm.

Por ai shtoi se një prani e NATO-s do të vazhdojë të qëndrojë në Afganistan edhe pas vitit 2014 për të këshilluar, stërvitur dhe ndihmuar forcat afgane.

Udhëheqësit e NATO-s po përqëndrohen tek Afganistani, në ditën e dytë të takimit të lartë të aleancës në Çikago, ndërsa ata hartojnë strategjinë e ardhshme pas luftës 10-vjeçare.

Zyrtarët e NATO-s pritet të finalizojnë sot planet për kalimin e kompetencave forcave afgane të sigurisë deri nga mesi i vitit të ardhshëm, ndërsa shumica e forcave të huaja do të tërhiqen deri në fund të 2014-tës.

Udhëheqësit e 28 vendeve anëtare të NATO-s hapën takimin e tyre dje në Çikago nën drejtimin e Presidentit Barak Obama. Vendet e NATO-s rikonfirmuan angazhimin e tyre ndaj kalimit të planifikuar të pushtetit tek forcat afgane të sigurisë si dhe mbështetjen e tyre afat-gjatë për Afganistanin.

Udhëheqësit e NATO-s dhe një roje ushtarake nderi, përfaqësuese e forcave të armatosura të të gjitha vendeve anëtare të aleancës, nderuan ushtarët e vrarë në Afganistan.
Sekretari i Përgjithshëm NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha se nuk do të ketë "tërheqje të nxituara" nga Afganistani.

"Ne do ta bëjmë të qartë angazhimin tonë afat-gjatë ndaj popullit afgan përtej vitit 2014, në mënyrë që Afganistani të mos bëhet më kurrë strehë e terroristëve, që mund të sulmojnë vendet tona dhe që afganët të kenë një të ardhme më të mirë në një rajon të qëndrueshëm".

Forca Ndërkombëtare e Sigurisë po trajnon ushtrinë e Afganistanit, për të bërë atë në numër në rreth 350 mijë trupa deri në muajin tetor.

NATO dhe qeveria afgane thonë se 75 për qind e popullatës së vendit banon tashmë në zona, ku forcat afgane janë përgjegjëse për masat e sigurisë.

Presidenti Obama mblodhi udhëheqësit e NATO-s në Çikago për të riafirmuar planet për t’u dhënë fund operacioneve luftarake të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë deri në dhjetor të vitit 2014 dhe për të siguruar një strategji afat-gjatë të mbështetjes financiare për ekonominë dhe zhvillimin politik të Afganistanit.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar të vazhdojnë angazhimin në Afganistan deri në vitin 2024, në bazë të marrëveshjes amerikano-afgane të partneritetit strategjik.

Presidenti afgan Hamid Karzai thotë se objektivi është që Afganistani të mos jetë më barrë për komunitetin ndërkombëtar, por për t’ia arritur këtij objektivi vendi i tij ka nevojë për ndihmë.

"Ne duam të sigurohemi se vazhdojmë një përparim të fuqishëm, ndërkohë që mbështetemi nga komuniteti ndërkombëtar gjatë këtij procesi deri në vitin 2024, kur Afganistani do të jetë në gjendje të vetëmbrohet dhe të mbështetet kryesisht në burimet e veta".

Presidenti Obama tha se ende ekzistojnë sfida, që do të vazhdojnë të shkaktojë viktima në njerëz, por NATO është e bashkuar në arritjen e këtij objektivi.

"Do të përjetojmë ditë të vështira, por ne kemi bindjen se jemi në drejtimin e duhur. Dhe ky takim i NATO-s pasqyron vendosmërinë e botës në mbështetje të strategjisë që kemi përcaktuar".

NATO do të riangazhohet ndaj objektivit të përgjithshëm të kalimit të masave të sigurisë forcave afgane dhe do të marrë vendime, që do të përcaktojnë madhësinë e forcave afgane të sigurisë dhe nivelet e fondeve të nevojshme.

Por Komandanti i Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë, gjenerali i marinës amerikane, John Allen tha se askush nuk duhet të presë përfundimin e luftimeve kundër atyre që ai i cilësoi si forca talebane "të afta dhe të vendosura", gjë që do të kërkojë ndihmë nga forcat amerikane dhe ato të koalicionit.

"Ne parashikojmë që vitin e ardhshëm Forca Afgane e Sigurisë Kombëtare të vihet në krye të operacioneve të sigurisë, operacioneve anti kryengritëse, ndërkohë që ne do ta mbështesin atë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të luftojmë".

Zyrtarët amerikanë dhe ata të NATO-s theksojnë se rezultati që ata synojnë nuk është të krijojnë një Afganistan të përsosur, por një vend që mund të mbështetet në forcat e veta, edhe nëse do të ketë nevojë për një mbështetje afat-gjatë të komunitetit ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG