Lidhje

Rusi: Pezullohet dënimi për Alexei Navalnyn


Një gjykatë e apelit në Rusi pezulloi dënimin me pesë vjet burg për udhëheqësin e opozitës Alexei Navalny.

Navalny, u dënua më 19 korrik nën akuzat për organizimin e vjedhjes së 500 mijë dollarëve nga një firmë druri në vitin 2009, në një proces që ai e cilësoi si të motivuar politikisht.

Të nesërmen, më 20 korrik, ai u lirua papritur nga burgu, për t’u lejuar që të merte pjesë në fushatën elektorale për kryetar të bashkisë së Moskës, pasi mijëra përkrahës të tij protestuan në qendër të qytetit.

Të mërkurën, gjykata e apelit në rajonin verior të Kirovit e pezulloi dënimin e tij si dhe atë të të bashkë-akuzuarit tjetër Pyotr Offitserov.

Ndërsa pezullimi i vendimit e mban atë jashtë burgut, dënimi e ndalon atë të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhëshme.

Navalny, tha të mërkurën se vendimi i gjykatës ishte diktuar nga Kremlini. Ai shtoi se do të vazhdojë të jetë aktiv në politikë.

Muajin e kaluar mijëra përkrahës të tij u hodhën në protesta, kur Navalny deklaroi se zgjedhjet e 8 shtatorit për kryetarin e bashkisë së Moskës ishin manipuluar për t’i dhënë fitoren një aleati të presidentit Vladimir Putin.
XS
SM
MD
LG