Lidhje

SHBA, identifikohet autori i sulmit në Kantierin e Marinës

  • Chris Simkins

Dymbëdhjetë njerëz kanë vdekur dhe disa të tjerë u plagosën dje pasi një person i armatosur hapi zjarr në Kantierin e Marinës amerikane në Uashington. Agjencitë e zbatimit të ligjit në kryeqytetin e vendit dolën me shpejtësi në vendin e ngjarjes, duke e vrarë personin e armatosur pas një operacioni të gjërë kërkimi në këtë bazë të marinës amerikane.

Dhjetëra njesi policore dhe taktike u grumbullan në Kantierin e Marinës në Uashington pasi një person i armatosur me disa armë hapi zjarr. Autoritetet thonë se 12 njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën, duke përfshirë një oficer policie. Autori i sulmit është identifikuar dhe ai është 34 -vjeçari Aaron Alexis nga qyteti Fort Uorth i Teksasit. Njoftohet se Aaron Alexis ka shërbyer në marinën amerikane dhe në të kaluarën ka punuar në këtë bazë në Uashington si punonjës civil.

Disa prej viktimave të këtij sulmi u transportuan me helikopterë nga çatia e një ndërtese, ku punojnë 3 mijë njerëz. Shumica e viktimave ishin punonjës të cilët sapo kishin arritur në punë në njërën nga ndërtesat e komandës në Kantierin e Marinës, jo shumë larg ndërtesës së Kongresit amerikan. Këta dëshmitarë panë personin e armatosur.

"Ai ishte në një distancë të mjaftueshme në korridor sa mund t’i shihej fytyra, ne e pamë atë me një pushkë në duar. Pastaj ai ngriti armën dhe filloi të qëllonte në drejtimin tonë. Ai qëlloi mbi kokat tona,"- thotë Terry Durham.

"Në fillim kishte disa të shtëna, pastaj ato ndaluan për disa sekonda dhe rifilluan përsëri prandaj ne u larguam me vrap. Unë numërova të paktën shtatë të shtëna", thotë Patricia Ward.

Autoritetet thonë se pas kërkimeve intensive, policia u konfrontua me personin e armatosur, duke shkëmbyer të shtëna me armë zjarri brenda ndërtesës. Shefja e policisë së Uashingtonit Cathy Lanier u shpresh kështu.

"Ekipet tona u angazhuan në një përleshje me armë zjarri me sulmuesin brenda ndërtesës dhe ai vdiq gjatë këtij shkëmbimi me armë zjarri."

Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Barak Obama premtoi për një hetim të hollësishëm federal të këtij sulmi dhe shprehu ngushëllimet e tij për viktimat.

"Ne qëndrojmë me familjet e atyre që janë prekur nga ky sulm. Ata do të kenë nevojë për dashurinë dhe mbështetjen tonë," tha presidenti Obama

Policia nuk ka identifikuar motivin e sulmit. Autoritetet thanë se reagimi i shpejtë i policisë u ka shpëtuar jetën shumë njerëzve.
XS
SM
MD
LG