Lidhje

Miqtë e Aaron Alexis të befasuar nga vepra e tij


Disa njerëz që e njihnin autorin e sulmit në Kantierin e Marinës, Aaron Alexis, nga jeta e tij në Fort Uorth të Teksasit u befasuan kur dëgjuan lajmin për përfshirjen e tij në këtë sulm. Disa njerëz në komunitetin tajlandez në Hjuston kanë kujtime të mira për Aaron Alexis.

Pak njerëzve në Fort Uorth u kujtohet zezaku 34 -vjeçar i cili pëlqente ushqimin tajlandez, praktikonte meditimin në një tempull budist, dhe nganjëherë luante me armë në banesën e tij.

Një grua që jetonte mbi apartamentin e Aaron Alexis para tre vitesh lajmëroi policinë pasi dëgjoi një të shtënë me armë zjarri dhe pasi kishte parë një vrimë plumbi në dyshemenë e apartamentit të saj. Raportet e policisë në Fort Uorth tregojnë se menjëherë pas incidentit policia kishte shkuar në apartamentin e tij për ta marrë atë në pyetje. Ai u kishte thënë atyre se arma e tij ishte aktivizuar aksidentalisht dhe se ai nuk e kishte raportuar rastin sepse nuk kishte menduar se plumbi mund të kishte depërtuar në apartamentin e sipërm. Ai u ndalua nga policia për një natë për qitje me armë zjarri brenda kufijve të qytetit.

Aaron Alexis më vonë u dëbua nga apartamenti dhe u vendos në një shtëpi që ishte në pronësi të një miku të tij tajlandez. Ai gjithashtu ka punuar për një kohë në një restorant tajlandez të quajtur The Happy Bowl. Ai vizitoi Tajlandën, mësoi gjuhën tajlandeze dhe krijoi miqësi me komunitetin tajlandez në Fort Uorth.

Tiki Confer, pronare e restorantit Thai Bangkok House, e njihte sulmuesin Aaraon Alexis. Ajo thotë se u befasua nga lajmi për të shtënat me armë zjarri mbi njerëzit në kryeqytetin e vendit.

"U trondita nga lajmi sepse unë nuk e dija se ai ishte në Uashington, nuk dija asnjë gjë tjetër."

Zonja Confer thotë se ajo kishte një përshtypje të mirë për Aaron Alexis.

"E kam parë atë disa herë, ai vinte në restorant për të ngrënë, për të festuar dhe për të biseduar me miqtë e tij. Kjo ishte në vitin 2008. Kohët e fundit ai nuk ka ardhur këtu. Në atë kohë, ai ishte një djalë i mirë dhe i qetë."

Aaron Alexis filloi shërbimin në forcat rezervë të marinës amerikane në vitin 2007 dhe u largua në janar të vitit 2011, pas disa incidenteve të shkeljes së rregullave dhe arrestimeve.

Para se t’i bashkohej forcave të marinës ai ishte pjesë e të paktën një incidenti tjetër. Policia në Siatëll e arrestoi Aaron Alexis në vitin 2004 për të shtëna me armë zjarri në një makinë pas një grindjeje. Askush nuk u plagos në këtë incident.

FBI-ja po kryen një hetim për të mësuar më shumë rreth Aaron Alexis dhe ka kërkuar që ata që kanë informacione mbi të, të kontaktojnë policinë.
XS
SM
MD
LG