Lidhje

Kompania e regjistrimeve Naxos Records


Po të mendosh rreth qytetit Nashvill në Tenesi, i cili njihet si kryeqyteti i muzikës kantri, gjëja e parë që të shkon në mëndje është kjo muzikë dhe aspak ajo klasike. Por jo shumë larg Nashvillit, paksa në jug të tij, ndodhet qyteti Franklin, ku ka bazën e vet të Amerikës Veriore kompania më e madhe e regjistrimeve të muzikës klasike në botë, Naxos Records me bazë në Hong Kong.

Naxos Records ka më shumë se 7 mijë regjistrime në katalogun e vet si dhe më shumë se 4 milionë CD vetëm në magazinën e saj në Franklin.

CD-të dhe DVD-të janë të palosura më së miri në rafte pas raftesh 10 metra të lartë dhe 100 metra të gjatë.

Çdo ditë, Naxos Records poston një mijë porosi për klientët nga magazina e vet në Tenesi. Është arritje e madhe për një kompani 25 vjeçare, që fillimisht ishte një kompani me buxhet të vogël dhe që regjistronte muzikë të orkestrave të panjohura.

“Edhe sot e kësaj dite, ata ende regjistrojnë pjesë të orkestrave të reja dhe të devotshme, që nuk janë shumë të njohura”.

Jim Shvejda është autor i “Guidës së Bredshme të Muzikës Klasike”, dhe spikeri i një programi në radio me muzikë klasike, që transmetohet në gjithë vendin.

“Simfonia Fort Smith në Arkansa në fakt po bën regjistrime. Simfonia Grand Rapids në Miçigan po regjistron muzikë të kompozitorit Adolphus Hailstork, që nuk janë të lehta për t’u luajur dhe po bëjnë regjistrime të mrekullueshme”.

Shvejda thotë se që prej fillimit kompania Naxos Records e dalloi veten, duke u kërkuar orkestrave që të regjistronin më shumë se sa repertoret standarde.

Pas shitjes së më shumë se 115 milion regjistrimeve deri më sot, është e qartë se njerëzit po i kushtojnë vemendje. Dhe askush nuk është më i habitur se sa Klaus Heymann, themeluesi 76 vjeçar i kompanisë. Ai e krijoi kompaninë Naxos Records pjesërisht për të shpërndarë regjistrimet e gruas së tij, violinistes japoneze të klasit botëror, Takako Nishizaki.

Heymann është sipërmarrës i lindur në Gjermani. Ai as luan ndonjë instrument dhe as di të lexojë muzikë, por ai është i bindur se këto janë cilësitë e përsosura për këtë vend pune.

“Kisha administruar me sukses kompani të tjera biznesi para se të filloja kompanitë e regjistrimeve. Dhe e shikova këtë mundësi me gjakftohtësi dhe mendova ta administroja këtë lloj kompanie në një mënyrë krejt ndryshe?”

Mënyra manaxhuese e Heymannit ishte kaq ndryshe sa që disa vëzhgues të industrisë i cilësuan taktikat e tij si grabitqare, madje ai u akuzua se përfitonte nga artistët e rinj, të cilët ishin të gatshëm të bënin çdo për të siguruar regjistrimin e muzikave të tyre.

Një prej nismave të tij hyri në histori. Në vitin 1998, ai filloi serinë Naxos të muzikës klasike amerikane, duke regjistruar punën e më shumë se 200 kompozitorëve amerikanë që nuk njiheshin shumë nëpër botë.

Heymann filloi serinë e regjistrimeve me shpresë që kompania Naxos do të hynte në tregun e vështirë të muzikës amerikane; Seritë e regjistrimeve janë shtuar duke përfshirë më shumë se 400 tituj.

“Nuk kemi bërë para, në fakt kemi humbur, por regjistrimi i serive na shtoi prestigjin. Ne kemi fituar shumë çmime Grammy me muzikën tonë klasike”.

Simfonia e Nashvillit ka fituar 7 prej këtyre çmimeve Grammy për kompaninë Naxos. Presidenti i simfonisë, Alan Valentine me kënaqësi demonstroi një nismë tjetër të Klaus Heymannit. Biblotekën muzikore Naxos. Nëpërmjet Internetit në adresën www.naxosmusiclibrary.com ju mund të dëgjoni muzikë nga i gjithë katalogu i kompanisë.

Heymann përqafoi idenë e futjes së regjistrimeve online 5 vjet para se kompania Apple të hidhte në treg iTunes. Stafi i tij mendoi se ai ishte çmëndur, por ky ishte një hap që e bën pronarin shumë krenar. Dhe këtë bibliotekë ai është i vendosur ta vazhdojë dhe ta pasurojë.

“As që nuk mund ta imagjinoni se sa shumë muzikë ka, pra nuk do të na mbarojnë kurrë pjesët muzikore që mund të regjistrojmë dhe t’i vëmë në dispozicion në biblotekë”.

Dhe nën drejtimin e zotit Heymann, duket se kompania Naxos Records do të vazhdojë të evolojë dhe të frymëzohet. Kohët e fundit ajo publikoi një aplikacion për iPadin e kompanisë Apple, që i njeh fëmijët me muzikë klasike.

XS
SM
MD
LG