Lidhje

Ndahet nga jeta kongresmeni Donald Payne


Përfaqësuesi Donald Payne, ligjvënësi i parë zezak i New Jersey, dhe përkrahës i përkushtuar për demokracinë në Afrikë, vdiq sot pas një beteje me kancerin e zorrës së trashë.

Burimet të afërta me familjen thonë se ai vdiq të martën në një spital në New Jersey. Payne kishte njoftuar muajin e kaluar se po trajtohej ndaj kancerit.

Ligjvënësi demokrat mbante vendin e tij në Kongres që nga viti 1988 dhe u zgjodh për një mandat të dymbëdhjetë në vitin 2010.

Donald Payne, 77 vjeç, ishte i njohur për punën e tij në çështjet afrikane, duke shërbyer si kryetar e më pas si anëtar kryesor i Nënkomisionit të Kongresit për çështje të Afrikës.

Ai vizitoi kontinentin afrikan shumë herë. Gjatë një vizite në Somali, në prill të vitit 2009, kryengritësit qëlluan me predha mortajash në drejtim të aeroportit në Mogadishu, ndërsa aeroplani i tij po ngrihej për fluturim. Payne u largua i sigurt, por sulmi me mortaja shkaktoi plagosje të civilëve në aeroport.

Donald Payne kishte qenë në Somali për t'u takuar me presidentin dhe kryeministrin për të diskutuar mbi çështje të bashkëpunimit, të sigurisë, dhe piraterisë në dete.

Rreth një muaj më vonë, Payne udhëhoqi një agjërim për rajonin e Darfurit në Sudan, duke i bërë thirrje Kongresit dhe administratës Obama për të shtuar kundërshtimin ndaj presidentit sudanez Omar al-Bashir, të cilin ai e akuzonte për krimet e papërshkrueshme.

XS
SM
MD
LG