Lidhje

Jeta e shkrimtares Maya Angelou


Dje vdiq në moshën 86 vjeçare shkrimtarja, poetja, dramaturgia dhe aktivistja legjendare amerikane Maya Angelou. Familja e saj thotë se ajo ndërroi jetë qetësisht në shtëpinë e saj në shtetin e Karolinës së Veriut, por nuk e bëri të ditur shkakun e vdekjes. Zonja Angelou u bë e njohur me shkrimet rreth jetës së saj si vajzë e varfër zezake në jugun amerikan të ndarë nga pikëpamja racore. Korespondentja e Zërit të Amerikës Mary Salinas tregon më tepër për jetën dhe karrierën e Zonjës Angelou.

Nga varfëria në një qytet rural në shtetin jugor Arkansas, Maya Angelou u bë një nga shkrimtaret, poetet, dhe aktivistet për të drejtat civile më të njohura në Amerikë.
Ajo tregon rreth një rinie të mbushur me dhimbje dhe padrejtësi në autobiografinë e saj të vitit 1969, I Know Why the Caged Bird SingsE Di Përse Këndon Zogu në Kafaz. Fillimi i jetës së saj ishte i mbushur me aq trauma, tha shkrimtarja, saqë ndaloi së foluri për më shumë se pesë vjet.

“Kisha një zë, por refuzoja ta përdorja”, rrëfente ajo më pas.

Ajo filloi të fliste përsëri pasi nisi të shkruante poezi. Më vonë shkroi ese, drama dhe skenarë – duke krijuar një repertor që frymëzoi studentë dhe presidentë.
Në vitin 1993, ajo lexoi një nga poezitë e saj gjatë inaugurimit të presidentit Bill Clinton.

Presidenti Barack Obama i dha zonjës Angelou Medaljen Presidenciale të Lirisë në vitin 2010 për krijimin e “poezisë dhe prozës së lartë” që ndihmoi të zgjojë ndërgjegjien e vendit. Shtëpia e Bardhë e vlerësoi gjithashtu për mjeshtërinë e saj në një larmi formash arti.

Zonja Angelou punoi si kërcimtare dhe aktore dhe u bë e famshme për zërin e saj të fuqishëm që dikur refuzoi ta përdorte.

Ajo u bë zëri për të drejtat civile dhe për ata që kanë vështirësi të arrijnë potencialin e tyre.

Edhe pse nuk studioi në universitet, zonja Angelou mori më shumë se 30 diploma nderi dhe dha mësim në Universitetin Wake Forest në Karolinën e Veriut për tre dekada.

Duke konfirmuar vdekjen e saj, universiteti e përshkroi atë si një thesar kombëtar, jeta dhe mësimdhënia e së cilës frymëzoi miliona njerëz në botë.
XS
SM
MD
LG