Lidhje

Ndahet nga jeta senatori Robert Bërd


Ndahet nga jeta senatori Robert Bërd
Ndahet nga jeta senatori Robert Bërd

Senatori Robert Bërd, demokrat nga Virxhinia Perëndimore vdiq në moshën 92 vjeçare. Demokrati, që mban rekordin për periudhën më të gjatë të shpërbimit si senator dhe rekordin si ligjvenësi që ka shërbyer më gjatë edhe në Kongresin me dy dhoma, gjatë karrierës së tij, ka mbajtur disa poste të rëndësishme. Ai ishte edhe një prej kritikëve më të ashpër të luftës në Irak.

Senatori Robert Bërd shërbeu në Kongresin amerikan për më shumë se gjysëm shekulli. Ai ishte po aq pasionant për shtetin që përfaqësonte, Virxhinian Perëndimore, sa edhe për punën në Kongres.

Gjatë viteve të fundit të karierës së tij në Kongres, ndërsa ushtarët amerikanë zhvillonin një luftë që ngjallte gjithnjë e më shumë debate, Senatori demokrat ishte një kritik i hapur i konfliktit.

“E gjithë kjo aventurë në Irak është bazuar në propagandë dhe manipulim”, kritikonte senatori Bërd.

Si kryetar i komisionit të Senatit për ndarjen e fondeve, posti i jepte atij një forum të rëndësishme për të kritikuar koston e luftës në Irak.

“Kostoja e luftës ka arritur në 149 miliardë dollarë. Kjo do të thotë 149 dollarë në minutë që prej lindjes së Jezu Krishtit, madje Shtëpia e Bardhë është gati t’i kërkojë Kongresit edhe 80 miliardë dollarë të tjerë”.

Në vitin 2006, senatori Bërd u zgjodh për mandatin e nëntë, i pashembullt në Senatin amerikan, duke u bërë kështu senatori që shërbente më gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai hodhi më shumë vota në Kongres se çdo ligjvënës tjetër.

Ai u zgjodh dy herë si udhëheqës i shumicës në Senat dhe dy herë si president i përkohshëm i Senatit, posti i tretë në hierarkinë e rradhës për të zëvendësuar presidentin në rast emergjent, pas nënpresidentit dhe kryaterit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Senatori Bërd e konsideronte veten një mbrojtës të patundur të Kushtetutës amerikane, një kopje të së cilës ai e mbante gjithnjë në xhep, si dhe një kampion të lirive civile.

Por rreth një periudhe të shkurtër të jetës së tij ai nuk ishte krenar. Në vitin 2005, në autobiografinë e tij ai kujtonte kohën kur kishte qënë anëtar i grupit Klu Kluks Klan. Ai nguronte të fliste publikisht rreth asaj periudhe.
“Më vjen turp”, u shpreh ai një herë.

Zoti Bërd ka shprehur gjithashtu keqardhje për kundërshtimin e ligjit për të drejtat civile në vitet 1950 dhe 60, kur shumë njerëz luftuan për të drejtat civile dhe për të drejtën e votës për afrikano-amerikanët.

Megjithëse senatori Bërd kërkoi falje për qëndrimet e tij të mëparshme rreth çështjeve racore, ai kurrë nuk u tërhoq nga përpjekjet për të siguruar fonde federale për shtetin e tij. Ai mbrojti shumën prej mbi një miliardë dollarë në fonde federale për shtetin e tij të Virxhinias Perëndimore, një prej shteteve më të varfëra të Amerikës. Këto fonde u përdorën për ndërtimin e godinave të ndryshme, institucioneve dhe rrugëve, shumë prej të cilave mbajnë emrin e tij, projekte këto që kritikët thonë se kanë qënë thjeshtë shpenzime të kota.

Duke folur para turistëve në Kongres para disa vjetësh, senatori Bërd shprehu mirënjohje ndaj banorëve të shtetit të tij, që e lejuan të shërbente për kaq gjatë në Senatin që ai e donte shumë.

“E gjithë merita i takon popullit të Virxhinias Perëndimore. Ata kanë pasur besim tek unë gjatë gjithë këtyre viteve. Popull i mrekullueshëm i Virxhinias Perëndimore”.

XS
SM
MD
LG