Lidhje

Një ish-shef policie ndalohet në aeroportin e Nju Jorkut


Pasi u ndalua dhe u mbajt për 90 minuta në aeroportin e Nju Jorkut, një ish-shef policie në SHBA thotë se “ndjehet i cënueshëm dhe i pasigurtë për të ardhmen e një vendi që ishte dikur madhështor”.

Hassan Aden është bërë shtetas amerikan që në moshën 10 vjeçare, dhe është djalë i një nëne italiane dhe një babai somalez. Ai u kthye në SHBA nga Parisi më 13 mars dhe tha se e veçuan ndërsa po kryente procedurat e hyrjes. Një zyrtar i tha se emri i tij ishte i njëjtë me emrin e përdorur nga dikush që figuronte në listën e personave nën vrojtim, dhe se informacioni do të verifikohej nga një agjensi tjetër përpara se të lejohej të hynte në vend.

Zoti Aden përshkroi në Facebook se shikoi të kalojnë të paktën 25 shtetas të huaj që u kontrolloheshin pasaportat për rreth 5 minuta dhe më tej lejoheshin të vazhdonin. Kur ai u ankua për kohëzgjatjen e ndalimit të tij, iu përgjigjën se nuk ishte i ndaluar.

“Ndodhesha në një dhomë pa celularin për të komunikuar me gruan dhe familjen për çfarë po ndodhte; isha i kufizuar në një karrige dhe më kishin mbajtur pasaportën... ndërkohë që kishin guximin të më thonin se nuk isha i ndaluar”, shkruajti zoti Aden.

Ai tha se meqë ka qenë vetë zyrtar i zbatimit të ligjit, e mirëkupton “një ndalim të arsyeshëm për hetim” nëse përmbushen disa kritere. Por, ai ngre pikëpyetje nëse “frika dhe ndalimi” janë misioni i ri i Agjensisë së Patrullimit të Kufirit dhe Doganave (CPB).

Agjencia thotë se ajo nuk komenton për raste individuale.

Eksperiencat e përjetuara në aeroportet amerikane janë vendosur veçanërisht në fokus pasi Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke ndaluar dhënien e vizave të reja personave nga shtatë vende, si dhe duke pezulluar programin amerikan të pranimin të refugjatëve. Një gjykatë federale i ndaloi qeverisë zbatimin e urdhërit, dhe pasi zoti Trump nënshkroi një urdhër të ri, një tjetër gjykatë e bllokoi edhe atë. Presidenti thotë se këto masa janë të nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare.

Urdhëri fillestar shkaktoi konfuzion në aeroporte pasi zyrtarët e kufirit nuk ishin të sigurtë se si t’i zbatonin rregullat, në veçanti për personat që kishin marrë tashmë një vizë. Një numër udhëtarësh u ndaluan, në disa raste duke u mohuar edhe të drejtën e takimit me një avokat.

Gjatë po këtij muaji, Muhammad Ali Jr., i biri i legjendës së boksit Muhammad Ali, njoftoi se ishte ndaluar dhe marrë në pyetje në dy aeroporte të ndryshme.

Në një aeroport në Florida, zoti Ali tha se zyrtarët e patën pyetur vazhdimisht “Nga e ke marrë emrin?” dhe “A je mysliman?”.

Ai u ndalua herën e dytë, vetëm një ditë pasi kishte dëshmuar në Kongres për incidentin e parë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG