Lidhje

Ndarje Rusi-Kinë rreth Krimesë


Ndërsa kritikët më të zëshëm të Rusisë kanë vendosur sanksione ekonomike për shkak të Krimesë, disa prej aleatëve të Moskës janë duke i parë me dyshim veprimet e saj në Ukrainë. Materiali në vazhdim tregon se si po ndikon kjo krizë tek marrëdhëniet e Rusisë me Kinën dhe me ish-republikat sovjetike.

Lidhur me luftën civile të Sirisë, Kina dhe Rusia bashkëpunuan për të mos lejuar sanksione më të ashpra kundër presidentit Bashar al-Asad, duke denoncuar mbështetjen e huaj për rebelët si shkelje të sovranitetit sirian.

Sa i përket Krimesë, Kina ka krijuar ngadalë një ndarje me Rusinë, për të njëjtin problem të sovranitetit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Hong Lei:

"Kina respekton gjithmonë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve. Kriza e Krimesë duhet të zgjidhet politikisht brenda kuadrit ligjor dhe të rendit. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe të ushtrojnë vetëpërmbajtje për të shmangur shkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve."

Kina nuk dëshiron asgjë që do të mund të inkurajonte tensionet separatiste, duke bërë Krimenë një lëvizje të kushtueshme për Rusinë, thotë profesori i Universitetit amerikan Keith Darden.

"Kina ka një politikë shumë të rreptë anti-ndarje, me moton ‘Kina është një’. Ajo kërkon mbështetje ndërkombëtare për pozicionin e saj në Tajvan. Ideja se me referendum popullor zona të vendit mund të vendosin, pa miratimin e qeverisë qendrore, se nuk janë më pjesë e shtetit është diçka që ata nuk do ta pranojnë kurrë. Pra, Rusia po vetëizolohet me këtë veprim."

Kur Rusia vuri veton ndaj një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Krimenë, Kina abstenoi, duke thënë se duhet bërë më shumë për të shtensionuar krizën.

Zyrtarët amerikanë thonë se janë konsultuar ngushtë me Kinën në lidhje me çështjen e Ukrainës, në përpjekje për ta izoluar Rusinë edhe më tej duke i paraqitur veprimet e saj në Krime si shkelje të normave ndërkombëtare. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Jen Psaki:

"Shpresa jonë vazhdon të jetë që shumë anëtarë të komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë Kinën, të jenë të koordinuar dhe të bashkëpunojnë kundër hapave të paligjshme që Rusia mori në këtë rast dhe për presionin që duhet të ushtrohet nga jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por nga vende në mbarë botën."

Marrja nën kontroll e një ish-republike sovjetike nga ana e forcave ruse ngre gjithashtu pyetje nëse Moska do të ruajë status quo-në e pas Luftës së Ftohtë.

"Kazakistani, për shembull, është shumë i alarmuar nga ideja se popullatat rusisht-folëse mund të kenë të drejtë të vendosin nëse duan të shkëputen dhe të bëhen pjesë e Federatës Ruse. Në kuadër të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, Rusia e ka respektuar parimin e sovranitetit dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse ajo ka pasur marrëdhënie të mira me Kazakistanin dhe disa nga fqinjët e saj. Një ndryshim ndaj këtij parimi që do të shkaktonte dëme të mëdha tek ato marrëdhënie."

Presidenti Vladimir Putin thotë se Rusia nuk është përgjegjëse për krizën në Krime. Ai ka thirrur një takim për në fillim të prillit mes vendeve post-sovjetike të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura për të diskutuar krizën në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG