Lidhje

Shqipëri: Dita Ndërkombëtare e Rinisë


Dita Ndërkombëtare e Rinisë e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara qysh nga viti 2000 synon të tërheqë vëmendjen tek vështirësitë kulturore dhe shoqërore që ata ndeshin në jetën e tyre. Ajo mendohet si një rast që qeveria qendrore dhe vendore, si edhe organizata të ndryshme të kthejnë vëmendjen tek rinia, te shqetësimet e tyre. Por si i ka gjetur të rinjtë shqiptarë dita e tyre ndërkombëtare?


Një nga organizatat humanitare më aktive kundër varfërisë dhe pro ndihmës së të rinjve në Shqipëri është World Vision, e shtrirë në 11 zona të Shqipërisë dhe një në Kosovë. Ata ndihmojnë njerëzit në nevojë që të përmirësojnë jetën e tyre. Genta Belilaj punon prej 4 vitesh në organizatën World Vision si një nga drejtueset e punës me të rinjtë në terren. Ajo thotë se të rinjtë ndeshin një mori vështirësish, që ua deviojnë jetën drejt gabimeve, që duan vite të korigjohen.
Zonja Belilaj shton se të rinjtë shqiptarë kanë nevojë të njohin potencialin e tyre dhe më pas ky talent t'u njihet nga njerëzit përreth, si dhe të njohin potencialin zhvillues të vendit të tyre. Mes morisë së ngjarjeve të terrenit, ku World Vision ndihmon të rinjtë, ajo tregoi për rastin e një djali që mendoi të ndërpriste shkollimin për shkak të varfërisë së familjes dhe të emigronte, por veprimtarët e bindën që të vazhdonte shkollën e mesme ekonomike.
Emigrimi i rinisë vlerësohet si një nga plagët e shoqërisë shqiptare. Studiuesi Arbjan Mazniku, është një nga 4 autorët e vëzhgimit të parë dhe më të plotë mbi mendimet e rinisë. Ai thotë se ende një numër i madh të rinjsh janë gati ta lënë vendin, nëse u jepet një mundësi. Sipas tij, studimi zbuloi se të rinjtë shqiptarë kanë më shumë besim tek familja e tyre dhe më pak tek institucionet publike; se të rinjtë kërkojnë shumë nga arsimi, por rrinë pak kohë me librat; se të rinjtë duan punësimin, por gjysma e tyre kërkojnë një punë në administratë shtetërore; se të rinjtë nuk e besojnë politikën aktuale, por votojnë masivisht dhe marrin pjesë masivisht në veprimtari partiake.
Të dhënat e fundit demografike trëegojnë se afro 30 për qind e popullsisë shqiptare është nën moshën 25 vjeç. Profesori i njohur i psikologjisë Adem Tamo, thotë se çelësi i gjithë sukseseve dhe dështimeve me gjithë këtë numër të madh të rinjsh është shkollimi i tyre. Profesor Tamo thotë se përmirësimi i sistemit shkollor dhe akademik të vendit mund të zhvillojë vendin dhe mund të frenojë emigrimin e rinisë, madje mund të kthejë në atdhe shumë prej tyre.
Studiuesit mendojnë se në shumë pika të rinjtë shqiptarë janë të ngjashëm me rininë e vendeve të zhvilluara, si për shembull në njohjen e teknologjive të reja, apo në guximin për të hyrë në fusha të panjohura të dijes. Megjithatë kufizimet janë edhe shmë të mëdha si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga ana sociale, kulturore.
XS
SM
MD
LG