Lidhje

Ndërkombëtarët të shqetësuar për emërimet në gjykatat e Shqipërisë


Ndërkombëtarët të shqetësuar për emërimet në gjykatat e Shqipërisë
Ndërkombëtarët të shqetësuar për emërimet në gjykatat e Shqipërisë

Në Shqipëri ambasadori amerikan Xhon Uidhërs dhe ai i OSBE-së Robert Bosch ripërsëritën sot shqetësimin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë pas rrëzimit javën e shkuar nga shumica e djathtë të kandidaturës së juristit Vangjel Kosta për në Gjykatën Kushtetuese.

Komentet e ambasadorëve u bënë gjatë forumit ‘’Gjykatat në demokraci’’ të organizuar nga dy ish presidentët Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu. Kandidatura e juristit Kosta u refuzua nga shumica e djathtë pasi, sipas saj, ai kishte marrë pjesë në procese politike gjatë periudhës komuniste.

Ambasadori Uidhërs tha se "të gjithë janë të turbulluar nga rrëzimi i një kandidati të shquar dhe shumë të kualifikuar si zoti Kosta. Mënyra dhe mungesa e transparencës se si u arrit ky vendim është befasuese", tha më tej ambasadori amerikan, sipas të cilit "duket sikur ky vendim është shqyrtuar mbi bazën e kritereve të përvijuara në një projektligj mbi hapjen e dosjeve i cili u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese ashtu dhe nga një opinion këshillues i Komisionit të Venecias. Kjo nuk është transparencë", theksoi ambasadori Uidhërs, "dhe ngre imazhin e llojit të ndikimit politik mbi gjykatat që nuk duhet të ndodhë në një shoqëri demokratike", nënvizoi ai.

Edhe ambasadori i OSBE-së Bosch u shpreh se rrëzimi i kandidaturave të Kreut të Shtetit duhet të bëhet vetëm nëse ato nuk përmbushin kriteret profesionale.

XS
SM
MD
LG