Lidhje

Ndërprerjet e energjisë dëmtojnë sipërmarrjet e vogla në jug të Shqipërisë


Ndërprerjet e energjisë dëmtojnë sipërmarrjet e vogla në jug të Shqipërisë
Ndërprerjet e energjisë dëmtojnë sipërmarrjet e vogla në jug të Shqipërisë

Sipërmarrjet e vogla në Jug të Shqipërisë po dëmtohen nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike. Dhoma e Tregtisë së Gjirokastrës shprehu përmes një prononcimi të kryetarit të saj Mustafa Devolli shqetësimin dhe i kërkoi Kompanisë çeke CEZ, e cila merret në Shqipëri me shpërndarjen e energjisë elektrike masa të menjehershme.

Zoti Devolli tha se vihen re ndërprerje prej disa orësh në ditë të energjisë në kohën e pikut të punës. “Kompania duhet të mos dëmtojë përmes kufizimeve të energjisë në zonën industriale të qytetit, por edhe më gjerë, punën veçanërisht të bizneseve prodhuese”, deklaroi zoti Devolli.

Sipas tij, biznesi i vogël dhe i mesëm përballet në këto kohë me mjaft vështirësi sidomos të efekteve të krizës në ekonominë e Greqisë fqinje me të cilën shumë biznese në rajon kanë lidhje.

“Mungesa e energjisë i rrit kostot për biznesin dhe bën që në mjaft raste ato që merren me prodhimin të dëmtohen nga ndërprerja me dhe pa orar e aktivitetit”, tha zoti Devolli.

Dhoma e Tregtisë së Gjirokastrës ka kërkuar edhe ndihmën e organeve të qeverisjes vendore për një mbrojtje më të mirë ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm. Grupe biznesmenësh gjirokastritë kanë protestuar në disa raste kohëve të fundit ndaj kufizimeve të gjata të energjisë elektrike jo vetëm në qytet por edhe në zonat rurale.

Policia ka mbajtur në monitorim protestat e tyre të zhvilluar pranë nënstacionit elektrik të qytetit. Ndërkohë Kompania CEZ nga ana e saj i ka lidhur ndërprerjet e energjisë dhe kufizimet me ndërhryjet e shpeshta në remontin e linjave si të tensionit të lartë edhe linjave të brendshme.

Kompania ka pasur gjithashtu probleme të difekteve në sistemin e shpërdarjes së energjisë dhe probleme nga furnizuesi me energji elektrike, kompania tjetër shqiptare, OST.

Në Shqipëri, mungon ende një kontratë tip e konsumatorëve me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike e cila do të mbarte detyrimet dhe përgjegjësitë e të dy palëve. Megjithë përpjekjet e disa organizmave të mbrojtjes së konsumatorit ende kjo nuk është arritur.

Po kështu vonesa e miratimit nga Parlamenti shqiptar të Gjykatës Administrative vazhdon të krijojë mjaft probleme për mbrojtjen e të drejtave të biznesit shqiptar.

XS
SM
MD
LG