Lidhje

Ndërron jetë një nga tre serbët e plagosur në veriun e Mitrovicës


Ndërron jetë një nga tre serbët e plagosur në veriun e Mitrovicës

Ndërron jetë një nga tre serbët e plagosur në veriun e Mitrovicës

Policia në Kosovë bëri të ditur se një person ka humbur jetën nga pasojat e plagëve që pësoi bashkë me dy të tjerë në një incident me armë zjarri në një lagje me popullsi etnikisht të përzier në veriun e Mitrovicës. Të tre ata janë të përkatësisë kombëtare serbe, ndërsa njëri prej tyre është pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Policia, e cila ka bllokuar vendin e ngjarjes dhe është duke kryer hetimet, nuk ishte në gjendje të jepte më shumë hollësi rreth incidentit i cili kishte pasuar një përplasje ndërmjet grupesh të serbëve dhe shqiptarëve.

Policia tha se të shtënat nuk ishin pjesë e përplasjes, por kishin ndodhur nga një drejtim i panjohur. Të plagosurit ju nënshtruan trajtimit në spitalin në veriun e Mitrovicës, ku njëri prej tyre, Savo Mojsic, ndërroi jetë.

Incidenti është dënuar nga autoritetet e Kosovës, që u kanë bërë thirrje organeve të rendit “të ndërmarrin të gjitha masat që kryesit e këtij akti të rëndë të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një komunikate për opinion ka theksuar se “aktet e dhunës janë të patolerueshme dhe të papranueshme që nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në vend”. Ajo u ka bërë thirrje “të gjithë qytetarëve që të tregojnë maturi dhe qetësi dhe që zgjidhjen e të gjitha çështjeve ta bëjnë përmes rrugëve institucionale duke respektuar ligjin.

Ndërkaq, edhe qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës “për qetësi dhe maturi, duke u përmbajtur nga çdo akt i dhunës, ngase përdorimi i dhunës është i papranueshëm në shtetin demokratik të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për opinion.

Incidenti ka nxitur reagime edhe të zyrtarëve të Beogradit të cilët kanë kërkuar që hetimet të bëhen nga Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë në veri që të shmangin cdo incident të dhunshëm.

Incidenti ndodhë në një periudhë tensionesh të larta në veriun e Kosovës, ku serbët lokal po mbajnë të bllokuara të gjitha rrugët që cojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Forca paqeruajtëse të NATO-s thanë dje se kanë përdorur gazin lotsjellës gjatë një operacioni për të mbyllur një vendkalim të paligjshëm kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri. Zyrtarët e KFOR-it thanë se kanë vendosur një pikë të re kontrolli të automjeteve në afërsi të vendkalimit kufitar në Jarinë, njëri nga dy vendkalimet e diskutueshme kufitare në atë zonë. Gjatë operacionit janë larguar barrikadat në rrugë të vendosura nga serbët lokal që kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në veri.

Pak pas operacionit të forcave paqeruajtëse serbët kanë ngritur një barrikadë tjetër në afërsi, një situatë e përsëritur shpesh muajve të fundit.

Serbët kanë shprehur gatishmërinë që të lejojnë lëvizjen e forcave paqeruajtëse, por jo edhe të EULEX-it, përderisa nuk marrin garanci se ata nuk do të transportojnë policinë kufitare dhe doganierët e Kosovës për në vendkalimet kufitare.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe është skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës, e cila kundërshtohet nga Beogradi, ndërsa është njohur nga mbi 80 vende të botës.

XS
SM
MD
LG