Lidhje

Ndërtimet pa leje në Shqipëri


Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka kërkuar angazhimin e strukturave në të gjithë vendin për hetimin e rasteve të ndërtimeve pa leje

Në Shqipëri, prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka kërkuar angazhimin e strukturave në të gjithë vendin për hetimin e rasteve të ndërtimeve pa leje, përfshirë edhe drejtuesit lokalë që nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e tyre

Përmes një udhëzimi shpërndarë vartësve të tij në rrethe, zoti Llalla saktëson se është vërejtur “një fenomen gjithnjë e në rritje i ndërtimeve të paligjshme që po kryhen pothuajse në të gjithë territorin e vendit”. Ai shton gjithashtu se “po konstatohet dhe një mosfunksionim siç duhet i strukturave të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik pranë Bashkive e Komunave, si dhe i Policive Bashkiake dhe të Komunave, të cilët kanë detyrimin ligjor parandalimin, pezullimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, si dhe kallëzimin e subjekteve që bëjnë ndërtime të tilla”, shkruan ai ne udhezimin e tij.


Sipas kryeprokurorit, në shumicën e rasteve denoncimet janë bërë nga ana e qytetarëve, e për këtë ka kërkuar që “kur provohet se strukturat përkatëse të Policive Ndërtimore dhe Bashkiake nuk kanë bërë, apo nuk bëjnë kallëzime për këtë vepër penale” të regjistrohet procedimi penal për personat përgjegjës, por edhe për subjektet që ndërtojnë në mënyrë të paligjshme.

Kryeministri i ardhshëm Edi Rama ka premtuar një ndërhyrje të gjerë, vecanërisht përgjatë bregdetit të vendit, ndaj të gjitha ndërtimeve pa leje, ndërkohë që fenomeni ka gjetur muajt e fundit një përhapje të shpejtë edhe në kryeqytet.

XS
SM
MD
LG