Lidhje

Ndihma ekonomike për Ukrainën


Në mbarë botën mbështetja për ekonominë në vështirësi të Ukrainës po fiton përkrahje. Të enjten Fondi Monetar Ndërkombëtar ra dakort për një plan dy vjeçar shpëtimi prej 18 miliardë dollarësh, me garanci shtesë të kredisë nga vendet anëtare që kap shifrën e 9 miliardë dollarëve. Në Shtetet e Bashkuara, të dyja dhomat e Kongresit shpalosën një moment të rrallë uniteti – duke qortuar Rusinë për marrjen agresive të Krimesë dhe duke miratuar ndihma të tjera financiare për ish Republikën Sovjetike.


Me parashikimin e tkurrjes së ekonomisë me 3 përqind, dhe pagesat e menjëherëshme të huave që shkojnë sa një e treta e prodhimit të brendshëm, Ukraina është vendi që ka nevojë për ndihmë. Në një fjalim të apasionuar në parlament, kryeministri Arseniy Yatsenyuk nuk gjente dot fjalët:

“Vendi është në prag të falimentimit ekonomik dhe financiar.”

Në përpjekje për të stabilizuar ekonominë e Ukrainës, shefi i misionit të FMN-së Nickolay Gueorguiev tha se organizata ka rënë dakort të jap 18 miliardë dollarë në ndihma emergjete, pa marr parasysh kreditë shtesë:

“Shuma e mbështetjes financiare shkon 27 miliardë gjatë dy vjetëve të ardhshme.”

Por komisioneri i BE-së Olli Rehn tha se paketa e shpëtimit është e kushtëzuar me masa shtrënguese që duhet të ndërmarrë Ukraina.

“Ndihma financiare do të ndihmojë në stabilizimin e situatës së përkeqësuar ekonomike në Ukrainë dhe do të jetë pjesë e rëndësishme në arritjen e një zgjidhje paqësore dhe të negociueshme të krizës.”


Ndërsa shumica në Kiev mirëpritën mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, disa shprehën shqetësim sesi do të përdoren këto para:

“Ata po na ofrojnë shpresë falco pasi kjo është hua dhe huatë duhet të paguhen. Në se këto para vidhen dhe taksapaguesit duhet të paguajnë huanë – kjo do të ishte e padrejtë.”


Ligjvënësit amerikanë kanë shtuar gjithashtu përpjekjet për të ndihmuar ish republikën sovjetike. Të enjten të dyja dhomat e kongresit miratuan një ligj që garanton deri në një miliardë dollarë hua për Ukrainën. Udhëheqësi i Senatit Harry Reid tha se kjo shumë është veç 100 milionë dollarëve ndihmë të drejtpërdrejt.

"Kjo që bëmë sot është vetëm fillimi. Unë e mbështes këtë ligj. Jam krenar për kolegët e mi në senat që u bashkuan për të qëndruar përkrah popullit të Ukrainës."

Pavarësisht marrëveshjes së rrallë dypartiake, senatori republikan Lindsey Graham tha se duhet bërë më shumë.

“A duhet Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë të Natos me kërkesë të popullit ukrainas t’i furnizojë ata me armë për të rindërtuar një ushtri pa elementë pro-rusë? Përgjigja ime është po, pasi nëse duam që Putini të mendohet dy here për ato që bën, ai duhet të paguaj një çmim më të madh për Krimenë.”

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë masa shtesë për të izoluar Rusinë, por disa janë të shqetësuar se sanksionet e reja mund të dëmtojnë ekonominë amerikane dhe evropiane.














XS
SM
MD
LG