Lidhje

Ndihmat për viktimat e përmbytjeve në Pakistan


Ndihmat për viktimat e përmbytjeve në Pakistan
Ndihmat për viktimat e përmbytjeve në Pakistan

Pakistani, i goditur nga një prej katastrofave më të rënda në historinë e tij, tha se do të pranojë 5 milionë dollarë ndihma nga India, një gjest i rrallë i vullnetit të mirë mes dy rivalëve trë vjetër. Shirat munson kanë shkaktuar deri tani 1 mijë e 600 viktima dhe kanë prekur mbi 20 milionë njerëz. Kombet e Bashkuara thanë se 8 milionë njerëz kanë nevojë për ndihma urgjente.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përshkroi shkatërrimin që pa gjatë vizitës së tij në Pakistan.

"Pashë fshatra të tëra të fshira nga uji. Rrugë, ura, shtëpi të shkatërruara. Drithërat dhe bagëtitë e përpira nga uji. Takova gra dhe burra të varfër në kohë të mira, të zhytur tani në mjerim".

Ministri i jashtëm i Pakistanit Shah Mehmood Qureshi tha se vendi po përballet me një fatkeqësi natyrore të paparë.

"Megjithë vendosmërinë tonë shkalla e sfidave është kolosale, shumë më e madhe për t’u përballuar e vetme nga çdo vend në zhvillim. Ne shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar do të ofrojë ndihma".
Përmbytjet kanë shkatërruar një të pestën e vendit që kur shirat muson filluan në fund të korrikut. Shirat nuk pritet të ndërpriten edhe për dy javë të tjera.

Qeveria e Pakistanit dhe Kombet e Bashkuara thonë se 20 milionë njerëz janë prekur nga fatkeqësia. Ata kanë bërë thirrje për gati 500 milionë dollarë ndihma imediate përfshi ushqim, ujë të pijshëm, strehim dhe mjete sanitare.
Dje sekretarja e Shtetit Hillary Clinton njoftoi se Uashingtoi do të rrisë asistencën ushqimore me 60 milionë dollarë më shumë.

"Gati 92 milionë dollarë do të shkojë në mbështetje direkte të planeve të OKB-së për shpëtim. Këto fonde po përdoren për të dhënë mështetje kritike dhe operacionale ndaj Autoritetit për Menaxhimin e Katastrofave si dhe organizata të tjera brenda Pakistanit. Shtetet e Bashkuara do të japin asistencë teknike si dhe do të mobilizojë burime civile dhe ushtarake".
Bashkimi Evropian njoftoi gjithashtu një kontribut të ri duke thënë se po shton ndihmat në 180 milionë dollarë. Britania tha se po dyfishon angazhimin e saj në gati 100 milionë.

XS
SM
MD
LG