Lidhje

Rënia e ndikimit amerikan në Irak


Ndërsa dhuna dhe trazirat politike vazhdojnë në Irak, ndikimi i Shteteve të Bashkuara në Bagdad ka aritur pikën më të ulët në shumë vjet.

Shtetet e Bashkuara kishin shpresuar të krijonin marrëdhënie të ngrohta me qeverinë irakiane, që vendosën në pushtet pas përmbysjes së regjimit të ish presidentit Saddam Hussein.

Përkundrazi, administrata Obama është në process e sipër që të pakësojë me një tretën numrin e diplomatëve dhe të kontraktorëve në një vend që nuk është më i gatshëm të bashkëpunojë me një prani të madhe amerikane.

Komisioni i Kongresit për buxhetin ka shkurtuar me 50 për qind fondet për Irakun për vitin e ardhshëm në 1.1 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e shkurtimeve do të eliminojë 850 milion dollarë për programin aspak popullor për stërvitjen e forcave policore.

Politikanë të ndryshëm irakianë thonë se duan pavarësi nga Shtetet e Bashkuara, bpor edhe marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin. Sami al-Askari, ligjvënës Shi'it, ka marrëdhënie të mira me kryeministrin Nouri al-Maliki:

“Ne kemi nevojë për amerikanët. Ne kemi nevojë të punojmë së bashku për të arritur në pikën kur Iraku nuk do të ketë më nevojë për ndihmën e askujt, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara”.

Udhëheqësit kurdë, të cilët drejtojnë një qeveri rajonale gjysëm autonome në Irakun verior, tradicionalisht kanë pasur marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin, por ligjvënësi i pavarur kurd, Mahmoud Osman thotë se kurdët duhet të jenë të vetëdijshëm rreth varësisë së madhe tek aleancat me vende të tjera, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

"Këto vende kanë interesat e tyre. Sot ato të ndihmojnë, më pas ato largohen, madje edhe të shesin. Ne e kemi përjetuar një gjë të tillë në të kaluarën. Prandaj shpresoj që udhëheqja kurde do të hyjë në dialog me blloqet e tjera të qeverisë irakiane, të paktën për sa kohë që ne jemi pjesë e Irakut".

Ndërsa fuqia merikane në Irak ka rënë vazhdimisht që prej ndërhyrjes së vitit 2003, qeveria e zotit Maliki ka shtuar aleancat me Iranin fqinj.
Alex Vatanka, analist në Institutin e Lindjes së Mesme, thotë se vazhdimi i dhunës sektare në Irak dhe në Sirinë fqinje është në interes të Teheranit.

"Kurdoherë që ekzistojnë aleanca Shia-Sunni në Lindjen e Mesme, popullata Shia në Irak kërkon mbështetjen e së njëjtës popullsi në rajon dhe është e qartë që shteti më i madh dhe më i fuqishëm shia është Irani".

Qeveria e zotit Maliki këmbëngul se dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Uashingtonin, madje ka nënshkruar një marrëveshje prej 3 miliardë dollarësh për të blerë aeroplanë luftarakë amerikanë F-16.

Analisti Vatanka thotë se shumica e diplomatëve amerikanë që punojnë me Irakun besojnë se Shtetet e Bashkuara kanë shanse të mira për të mbetur një lojtar i rëndësishëm në Irak, megjithë avantazhin e tanishëm të Iranit.

"Kjo është një çështje që duhet shqyrtuar në hollësi dhe nëse jemi në Bagdad duhet të bëjmë pyetjen se çfarë përfitimesh afat gjata do të kishte Iraku nga marrëdhëniet me Iranin? Këtu duhet pasur parasysh fakti se Teherani është i izoluar në rajon dhe në botë. Kjo është arsyeja që unë mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të jenë, pa asnjë krahasim, partneri më tërheqës për Irakun".

Por Gregory Gause, ekspert për Lindjen e Mesme në Universitetin e Vermontit, thotë se strategjia e madhe pas ndërhyrjes amerikane të vitit 2003 nuk është bërë ende realitet.

"Mendoj se versioni më optimist dhe më ambicioz i asaj strategjie, një Irak i qëndrueshëm demokratik, aleat i fortë i Shteteve të Bashkuara, në paqe me Izraelin dhe konfrontues karshi Iranit, ishte një ëndërr e parealizueshme. Gjithashtu mendoj se as versioni i mesëm i së njëjtën strategji, krijimi i një Iraku të qëndrueshëm demokratik me marrëdhënie të ngushta me Shtetet e Bashkuara, nuk është arritur".

Disa zyrtarë amerikanë thonë se një prani më e vogël dhe më e rezervuar amerikane në Irak në fakt mund të sjellë rezultate më të mira. Të ndodhur përballë mungesës së kompromisit në Irak dhe problemeve buxhetore në vend, këta zyrtarë mund të mos kenë zgjedhje tjetër.
XS
SM
MD
LG