Lidhje

Ndotja e ajrit, 7 milionë vdekje gjatë vitit 2012


Ndotja e ajrit ka qënë shkaktari i 7 milionë vdekjeve në mbarë botën gjatë vitit 2012, sipas një raporti të ri të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për shëndetin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të martën se ndotja e ajrit, që nga tymi i zjarrit për gatim e deri tek gazet e automobilëve, ka kontribuar në 7 milionë vdekje në mbarë botën gjatë vitit 2012.

Maria Neira, është shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Ndotja e ajrit, si ajo brenda edhe jashtë shtëpisë, është problemi kryesor mjedisor që ndikon mbi shëndetin dhe prek këdo, si në vendet në zhvillim edhe në ato të zhvilluara”.

Sipas një studimi të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një në çdo tetë vdekje, gjatë vitit 2012, ka qënë e lidhur me ndotjen e ajrit.

Sipas studimit, sëmundjet kryesore vdekje-prurprse të lidhura me ndotjen ishin ato të zemrës, mushkërive dhe kanceri i mushkërive.

Rajonet më të prekura të botës, sipas agjencisë së OKB-së, ishin ato të Azisë Juglindore, që përfshijnë Indinë dhe Indonezinë dhe rajonet perëndimore të Paqësorit, që përfshijnë Kinën, Korenë e Jugut, Japoninë dhe Filipinet.

Numri i vdekjeve në këto rajone ishte 5.9 milionë vetë.

Në numrin total të vdekjeve nga ndotja përfshihen edhe 4.3 milionë vetë si rezultat i gatimit në soba me qymyr ose me dru.

Numri i viktimave nga ndotja e ajrit jashtë banesës ishte 3.7 milionë. Burimi kryesor i kësaj ndotje janë përdorimi i qymyrit dhe gazet e makinave me naftë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shumë njerëz janë të ekspozuar ndaj ajrit të ndotur, si brenda shtëpisë edhe jashtë saj.

Shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se shifrat e reja janë tronditëse.

Për herë të fundit që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka botuar shifra globale të vdekjeve nga ndotja ishte në vitin 2008 dhe në atë kohë, vdekjet nga ndotja e ajrit brenda shtëpisë ishte 1.3 milionë vetë dhe vdekjet nga ajri i ndotur jashtë, ishin 1.9 milionë.

Por si rezultat i ndryshimit të metodave të studimit, krahasimi i shifrave të 2008 me 2012 është i vështirë, thotë zonja Neira.

Në të kaluarën, për shembull Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk merte parasysh ekspozimin ndaj të dyja formave të ndotjes së ajrit, brenda dhe jashtë, por vlerësonte vetëm ndotjet urbane.

Imazhet satelitore e kanë bërë më të lehtë vlerësimin e ndotjes në zonat rurale, ndërsa njohuritë e reja rreth ndikimit të ndotjes mbi shëndetin krijojnë një ide më të mirë.

"Rreziqet nga ndotja e ajrit janë tani shumë më të mëdha se sa mendohej më parë, veçanërisht për sëmundjet e zemrës”, thotë zonja Neira.

"Janë të pakta rreziqet e tjera për shëndetin global të krahasueshme me ndotjen e ajrit. Të dhënat e reja kërkojnë marrjen e masave të bashkërenduara për pastrimin e ajrit”.

Sipas OBSh, rreth 2.9 miliardë vetë në vendet e varfëra jetojnë në shtëpi që përdorin si burim kryesor ngrohje dhe gatimi zjarrin.

Carlos Diora, bashkërendues i OBSh për mjedisin, thotë se kjo i kthen këto shtëpi në “dhoma djegieje”.

Masa të thjeshta që mund të merren, janë që nga të ashtuquajturat “soba të pastra gatimi”, jo me ndonjë teknologji të lartë, si dhe përmirësimi i sistemit të ajrosjes, thotë eksperti.

Vendet, po ashtu kanë nevojë të rishikojnë politikat e tyre, shton zoti Dora, duke përmendur si shembull ndikimin në vendet e zhvilluara të kalimit drejt burimeve të pastra të energjisë, menazhimit më të mirë të kërkesave për energji dhe arritjeve teknike në industrinë e automobilëve.
Po ashtu edhe politikat e transportit duhet të reformohen.

Ndotja e ajrit shkaktoi panik kohët e fundit në Francë dhe i detyroi autoritetet të vinin kufizime për përdorimin e makinave dhe përkohësisht të hiqnin tarifat e transportit publik në Paris. Masa të kësaj natyre, thonë ekspertët, mund të përdoren në një afat më të gjatë.

“Ajri i pastër nuk blihet me shishe si uji. Ai është një burim që e përdorim të gjithë dhe për të patur ajër të pastër, duhet ndërhyrë në sektorët që e ndotin atë”, thotë zoti Dora.

OBSh-ja thotë se nga fundi i vitit prite të botojë një listë të 1 mijë e 600 qyteteve më të ndotura të botës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG