Lidhje

Greva e urisë në ditën e 13


Kryetari i grevës së urisë, Gjergj Ndreca thotë se “ata janë të vendosur që ta vazhdojnë deri sa të arrijnë qëllimin me dëmshpërblimet”

Greva e urisë e 25 ish të burgosurve politikë të regjimit komunist kaloi sot ditën e 13, ndërsa gjendja shëndetësore sa vjen e rëndohet. Kryetari i grevës së urisë, Gjergj Ndreca thotë se “ende nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet shtetërore për kërkesat e grevës, megjithatë ata janë të vendosur që ta vazhdojnë deri sa të arrijnë qëllimin në lidhje me dëmshpërblimet”.

Zoti Ndreca thotë se greva ka një mbështetje të gjerë në shoqëri. Madje ata i kanë vizituar edhe diplomatë të SHBA dhe BE, ambasadori amerikan Arvizu dhe ambasadori Sequi. Ndaj shpresojnë se “edhe marrëveshja me qeverinë duhet garantuar nga diplomatët perëndimorë për shkak të mosbesimit”.

Gjatë 13 ditëve të grevës së urisë zyrtarë të qeverisë nuk kanë dhënë asnjë koment. Megjithë përpjekjet e “Zërit të Amerikës” për të marrë shpjegime nga zyrtarët për kërkesat e grevistëve, kjo nuk u bë e mundur. Ndërkaq Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë po ndjek nga afër grevën. Drejtori i Institutit, Simon Miraka, thotë se “i ka takuar disa herë grevistët e urisë, dhe i mbështet për kërkesat ekonomike, por jo për kërkesa politike”.

Zoti Miraka thotë se “qëllimi është të përshpejtohet marrja e kësteve me ligjin në fuqi, dhe jo të ndryshohet ligji, sepse kjo do ta zhyste cështjen në një shteg pa rrugëdalje”.

Në Institutin e Integrimit pohojnë se ministria e drejtësisë po trajton 23 mijë dosje të burgosurish politikë për dëmshpërblim, rreth 10 mijë e 600 kanë marrë këstin e parë dhe 1 mijë e 600 kanë marrë këstin e dytë që janë mbi 65 vjeç.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG