Lidhje

Pushohet cështja ndaj Ndreut dhe Ndokës


Dhuna ndaj deputetit demokrat Gent Strazimi në parlament, Gjykata e Lartë nuk e vlerëson si vepër penale aktin e dy deputetëve socialist ndaj kolegut të opozitës. Basha: Lajmi zi për Shqipërinë

Në Shqipëri Gjykata e Lartë vendosi sot të pushojë cështjen ndaj dy deputetëve socialistë, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, të cilët ishin akuzuar për dhunën e ushtruar në korrik të vitit të kaluar në mjediset e parlamentit, ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri. Prokuroria e cila nisi një hetim mbi rastin, pas denoncimit të bërë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i kishte gjetur ata fajtorë, dhe kishte kërkuar dënimin e Ndreut dhe Ndokës përkatësisht me 8 muaj dhe 1 vit burgim, i konvertuar më pas në orë pune në komunitet.

Por sipas kolegjit penal të Gjykatës së Lartë “çështja nuk duhet të fillonte për shkak se nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor penal. Sjelljet e deputetëve me fjalë, gjeste apo veprime fizike a të dhunshme, që pengojnë a cenojnë autoritetin e Kuvendit, dinjitetin dhe personin e deputetit, nëse nuk kanë sjellë pasoja të tjera të rënda sipas ligjit, i nënshtrohen procedurave ekskluzive të hetimit dhe gjykimit disiplinor, si edhe të sanksioneve disiplinore nga vetë strukturat e pushtetit legjislativ, pra nga Kuvendi”, sqaron në një njoftim të sajin Gjykata e Lartë.

Pas vendimit edhe deputeti Ndreu tha se “kërkoj falje për atë moment gjaknxehtësie po nuk mund të bënte shkak ligjor për të ndërtuar një fabul dhe për ta sjellë në gjykatë. Vendimi i gjykatës e tregoi se kjo orvatje ishte nul dhe çështja penale nuk duhet të fillonte”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë u pasua me një reagim të ashpër të opozitës. Kryetari i saj Lulzim Basha, në një deklaratë të shpërndarë për shtypin, e cilësoi një “lajm të zi për Shqipërinë, demokracinë dhe parlamentarizmin shqiptar. Çdo shqiptar që pa me zë dhe figurë skenat e shëmtuara të sulmit fizik kundër fjalës së lirë dhe opozitës, është sfiduar. Partnerët tanë amerikanë dhe europianë janë sfiduar. Në vend të dekriminalizimit, si një nevojë urgjente dhe jetike e politikës dhe shoqërisë shqiptare, Edi Rama vulosi veprën e tij të kriminalizmit të pushtetit”, shkruhet në deklaratën e zotit Basha, ndërkohë që në një tjetër deklaratë nga selia e partisë demokratike, deputeti i saj Eduard Halimi, akuzoi Gjykatën se i është nënshtruar urdhërave të Kryeministrit. “Këto vendime tregojnë qartazi gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet drejtësia sot, e kapur, e nënshtruar, e urdhëruar dhe e vënë nën kontroll për ti shërbyer Kryeministrit dhe miqve të tij me rekorde të tmerrshme kriminale”, u shpreh zoti Halimi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG