Lidhje

Raport i ri mbi efektet e ndryshimeve klimatike

  • Rossane Skirble

USA/

USA/

Komisioni Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, IPCC, përbëhet nga qindra shkencëtarë të shquar nëpër botë për të studjuar efektet e veprimtarisë njerëzore mbi klimën e Tokës dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike tek mjedisi dhe shoqëria civile, si dhe mënyrat për të zbutur efektet e këtyre ndryshimeve. Që nga viti 1990, kjo qendër ka hartuar katër raporte vlerësuese dhe i pesti do të dalë të premten më 26 shtator. Raporti i IPCC-së ndihmon qeveritë dhe shoqërinë civile për të marrë vendime më të mira për çështjet e klimës.

Raporti i pestë i Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike do të publikohet me faza, duke filluar nga e premtja, me analizimin e fizikës së ndryshimeve klimatike dhe botimi do të vazhdojë gjatë vitit të ardhshëm. Alden Meyer, analist i Bashkimit të Shkencëtarëve të Shqetësuar, thotë se raporti përshkruan se si dhe pse ndodhin ndryshimet klimatike dhe çfarë duhet pritur në të ardhmen.

“Raporti përshkruan ndryshimet e temperaturës së atmosferës dhe oqeaneve, ndryshimet e kohës së stuhive, sasinë e reshjeve, thatësirat dhe fenomene të tjera ekstreme të motit, si dhe pasojat e ndryshimeve në shtresën glaciale dhe të akullit për ngritjen e nivelit të detit. Ai do të vlerësojë gjithashtu ndikimin tek këto ndryshime të veprimtarisë njerëzore dhe faktorëve natyrorë”.

Raporti përmbledh studime të ngjashme për ndryshimet klimatike që janë bërë që nga publikimi i raportit të Komisioni Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike në vitin 2007. Ky është një projekt shumë i madh me pjesëmarrjen e qindra autorëve, redaktorëve dhe recensuesve nga 47 vende. Zoti Meyer nuk pret rezultate të reja të mëdha.

“Por ai do të mbështesë dhe përforcojë rezultatet e raporteve të mëparshme, ndoshta me një nivel më të lartë bindjeje në disa fusha”.

James McCarthy luajti një rol të ndjeshëm në raportin e tretë të IPCC në vitin 2001. Oqeanografi i Harvardit thotë se që nga publikimi i raportit të katërt, shkenca e klimës ka përparuar ndeshëm. Më shumë është mësuar ndërkohë, si për shembull, ngrohja e oqeaneve, e konstatuar nga një sërë mjetesh lundruese të oqeaneve nëpër botë”.

“Ngrohja e oqeaneve ka ardhur në rritje gjatë 20 vjetëve të fundit dhe megjithëse të dhënat e mëparëshme do të na kishin mundësuar të bënim një deklaratë të tillë, saktësia që vjen nga këto 3500 mjete lundruese, na lejon ta themi këtë me më shumë besim”.

Zoti McCarthy shton se tani dihet më shumë për shkrirjen e shpejtë të shtresës akullnajore të Groenlandës dhe Antarktidës, si dhe ngritjen e nivelit të detit si rezultat i kësaj shkrirjeje.

“Nëse akulli shkrin në Groenlandë dhe në Antaktidë, sa do të ngrihet niveli i detit? Ne do ta shikojmë këtë tani nga llogaritjet për parashikimin e ngritjes së nivelilt të detit që nuk e kemi parë në vitin 2007. Kjo do të jetë një ndihmesë e madhe për njerëzit tepër të shqetësuar për ndikimin e ngritjes së nivelit të detit në zonat bregdetare”.

Një variant paraprak i raportit arriti të bjerë në duart e medias muajin e kaluar dhe në të thuhet se planeti i Tokës është ngrohur me shpejtësi që nga vitet 50-të dhe ka shumë të ngjarë, me një probabilitet prej 95 për qindësh, që njerëzit të shkaktojnë më shumë se 50 përqind të ndryshimeve të vrojtuara, si shkrirja e dëborës dhe akullit, ngritja e nivelit të detit dhe fenomenet ekstreme të motit.
Klimatologia Heidi Cullen e grupit jo fitimprurës “Climate Central” thotë se nëse kjo shkallë sigurie mbetet e tillë në gjuhën e raportit, ky është një problem i madh.

“Mendoj se me daljen e raportit, një koefiçient i tillë sigurie si 95 përqind për ndikimin e njerëzve në ndryshimet klimatike, përbën një deklaratë tepër të fortë. Ne e kemi ndryshuar planetin. Veprimet tona e kanë ndryshuar planetin dhe ne jemi sa të saktë dhe po aq të bindur për këtë”.

Raporti i pestë vlerësues i ndryshimeve klimatike do të lëshohet më 26 shtator në Stokholm.
XS
SM
MD
LG