Lidhje

Marrëveshje mbi ndryshimet klimatike


Shefi i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon tha se marrëveshje globale për ndryshimet klimatike e arritur të dielën në Peru hedh bazat për një pakt "universal dhe kuptimplotë" vitin e ardhshëm, megjithëse marrëveshja e Limës u kritikua si e dobët nga organizatat e mjedisit.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së e vlerësoi rezultatin e konferencës në Peru dhe u bëri thirrje vendeve në të gjithë globin për t'u angazhuar në "negociata substanciale" përpara një takimi tjetër për ndryshimet klimatike që pritet të mbahet në Paris në fund të vitit 2015.

Zoti Ban tha se ekonomitë e mëdha të botës është e nevojshme t'i paraqesin "angazhimet e tyre ambicioze" për kontrollin e ndotjes shumë kohë përpara takimit të Parisit.

Marrëveshja e Limës u miratua pak orë pasi projektet e mëparshme ishin hedhur poshtë nga vendet në zhvillim, të cilat akuzonin shtetet e pasura se po u shmangeshin përgjegjësive për të luftuar ngrohjen globale dhe për të paguar çmimin për ndikimin e kësaj dukurie.

Projekti përfundimtar i zbuti këto shqetësime me formulimin ku thuhej se vendet kanë "përgjegjësi të përbashkëta, por të ndryshme," për sa i përket ngrohjes globale.

Por grupet e mjedisit thanë se marrëveshja e Perusë nuk ishte ashtu siç e dëshironin ata. Ekspertja për klimën pranë organizatës Bota e Faunës dhe Florës Samantha Smith e quajtur marrëveshjen "tepër të dobët."

XS
SM
MD
LG