Lidhje

Ndryshimet klimatike dhe rreziqet e përftuara prej tyre në sigurinë globale

  • Selah Hannessy

Ndryshimet klimatike dhe rreziqet e përftuara prej tyre në sigurinë globale

Ndryshimet klimatike dhe rreziqet e përftuara prej tyre në sigurinë globale

Mungesat në ushqime kanë qenë një faktor kyç që ndikoi në trazirat në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, trazira të cilat shkaktuan paqëndrueshmëri në tregjet botërore të energjisë. Dhe në vende të tjera në botë, konflikte kanë shpërthyer për ujin, tokën, apo burimet minerale. Në reportazhin në vazhdim, Selah Hennessy i/e Zërit të Amerikës ka folur me specialistë të sigurisë rreth lidhjeve komplekse të burimeve natyrore dhe sigurisë.

Betejat për burimet natyrore kanë një histori të gjatë; toka, uji dhe mineralet vazhdimisht kanë qenë shkaqe të përhershme konfliktesh anembanë botës.

Neil Melvin është drejtor i programit të Konflikteve të Armatosura dhe Menaxhimit të Konfliketve në Institutin Ndërkombëtar për Paqen në Stokholm, i njohur si SIPRI.

Ai thotë se burimet natyrore luajnë një rol të shumëfishtë. Nga njëra anë janë grupet që luftojnë me njera tjetrën për kontrollin e këtyre burimeve.

“Mendoni psh për Republikën Demokratike të Kongos, ku ka shpërthime të vazhdueshme të dhunës pasi njerëzit luftojnë për të pasur kontrollin e minierave në zonën lindore të vendit. Këto miniera prodhojnë minerale që janë të pranishëm pothuajse në çdo telefon celular”.

Ai thotë se kërkesat e vendeve të pasura për minerale të çmuara , si koltani që gjendet në Republikën Demokratike të Kongos e që përdoret për prodhimin e telefonave celularë, ka ndikuar në dhunën edhe paqëndrueshmërinë në gjithë Jugun. Këto minerale të çmuara, thotë ai, po ashtu u sigurojnë kryengritësve edhe mjetet për të luftuar.

“ Mineralet dhe burimet natyrore janë në themel të konflikteve të vazhdueshme që nuk përfundojnë anjëherë. Afganistani mund të jetë një shembull i mirë i kësaj, ku lëndët narkotike shërbejnë si burim financiar i kryengritjes duke e bërë më të vështirë dhënien fund të këtij konflikti”.

Zoti Melvin ka ndihmuar për një raport të SIPRI-t, ku merren në shqyrtim lidhjet në rritje mes sigurisë dhe burimeve natyrore. Raporti thotë se një sërë elementësh të çojnë në përfundimin se burimet natyrore kanë dalë në krye të çështjeve që lidhen me sigurinë.

E para, burimet e pamjaftueshme. Zoti Melvin thotë se shqetësimet për sigurinë e ushqimit, ndonëse jo shkaku, ishin fitili që ndezi trazirat e fundit në Tunizi, të cilat çuan në rrëzimin e pushteti të gjatë të udhëheqjes së vendit. Ai thotë se ushqimi luajti një rol në shtimin e pakënaqësisë popullore në vende të tjera nëpër botë.

E dyta, thotë ai, burimet e pamjaftueshme janë një shqetsim në rritje si pasojë e rritjes së ekonomive në zhvillim, ku spikat Kina dhe India. Ai thotë se teksa këto vende bëhen më të pasura, tensionet për burimet natyrore do të shtohen.

Të dy problemet e sipërpërmendura komplikohen nga një çështje e tretë; ndryshimet klimatike, thotë zoti Malvin.

Analisti Nik Cook punon me organizatën britanike IHS Jane’s dhe është drejtuesi ekzekutiv i firmës Dinamiks, një kompani e cila jep këshilla në industrinë e sigurisë. Ai thotë se ndryshimet klimatike po shkaktojnë rritjen e temperaturave në zona të ndryshme të botës që janë tashmë nën stres, duke krijuar probleme madhore të sigurisë në këto vende.

“Në zona të Afrikës që tashmë janë të destabilizuara, po t’u shtosh edhe ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe rritjen e temperaturave, atëherë në këto zona ndosh fenomeni i migracionit masiv. Dhe kur ka migirime masive nga një vend në tjetrin, aty ka potencial për konflikt”.

Shumë shkencëtarë mendojnë se temperaturat në botë po rriten, kryesisht në disa zona të caktuara, si pasojë e konsumimit të lëndëve djegëse si qymyri dhe nafta.

Zoti Kuk thotë se migrimi nuk është i vetmi problem i shkaktuar nga ngrohja globale.

“Po të shohësh për shembull zona ku ka konkurrencë për ujë dhe toka pjellore, kur temperaturat rriten, kjo i shton më tej kërkesat për ujë e tokë pjellore, çka shton mundësinë për konflikt”.

Ndonëse sfidat duken të panumërta, specialistë thonë se zgjidhjet janë përpara. Analisti Malvin i SIPRI-t thotë se një mënyrë për të kufizuar ndikimin e burimeve natyrore tek siguria, është bashkërendimi në nivel botëror. Shtetet prodhuese e konsumatore, industria dhe shoqëria civile duhet të punonjnë së bashku, thotë ai, për t’ia dalë problemit të menaxhimit të burimve natyrore.

Ai thotë se Proçesi i Kimberlit, i cili u miratua për të ndaluar tregëtinë e të quajturve “ diamantët e gjakut” që ndikoi në ndezjen e luftrave në Sierra Leone dhe Liberi, tregon sesi rrjeti ndërkombëtarë mund të ndihmojë.

Një specialist i sigurisë në Fakultetin e Studimeve Orientale e Afrikane me bazë në Londër, Dan Plesch, thotë se në vend që të merremi me efektet e ndryshimeve klimatike, duhet gjetur burimi i problemit.

“ Ne mund të përballemi me këtë situatë ose duke blerë më shumë armë, dhe duke u vënë përballë forcave ndërluftuese, ose duke e kuptuar se duhet të përballemi realisht me ndryshimet klimatike si shkaku i problemit”.

Ai thotë se zgjidhje e problemit të sigurisë globale, është ecja drejt energjisë ripërtëritëse.

XS
SM
MD
LG