Lidhje

Ndryshimet klimatike në vitin 2013


2013-a ishte mes viteve më të nxehtë, i shoqëruar me akumulimin më të madh të gazeve serë në atmosferë të regjistruara ndonjëherë më parë. Disa shkencëtarë shprehen me bindje të thellë se ngrohja globale është reale dhe njerëzit janë krysisht shkak i saj, por disa të tjerë thonë se asnjë fenomen atmosferik nuk mund të lidhet me ndryshimet klimatike. Rosanne Skirble e Zërit të Amerikës sjell hollësi.

2013 ishte një vit tjetër me mot ekstrem. Ai u shoqërua me zjarre dhe përmbytje vdekjeprurëse, valë të nxehti dhe thatësira të mëdha dhe me një prej stuhive më të fuqishme tropikale, që ka goditur ndonjëherë tokën. Taifuni Haijan shkaktoi 6,000 të vdekur në Filipine dhe la të pastrehë 4 milion të tjerë, si Marilyn Dela Cruz.

“Ky është vjehri im. Nuk e dimë se ku është dhe jemi ende në kërkim të trupit të tij. Shpresojmë ta gjejmë. Këto janë pantallonat e djalit tim. Tani nuk na ka mbetur gjë tjetër”.

Ndërsa studimet tregojnë se atmosfera më e ngrohtë përkeqson kushtet atmosferike, Richard Kerr, shkrimtar veteran për revistën Shkenca, thotë se asnjë fenomen atmosferik nuk mund të lidhet me ndryshimet klimatike.

“Matanë valëve të të nxehtit dhe rreshjeve të shumta, stuhitë me shi ose dëborë, shkencëtarët po tregohen më të rezervuar për të bërë një lidhje mes taifunëve apo tornadove dhe ngrohjes globale”.

Por disa shkencëtarë u shprehën pa dyshime në raportin vlerësues të Komisionit Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike, që u publikua në shtator. Në të, ata shprehen me bindje të thellë se ngrohja globale është reale dhe njerëzit janë krysisht shkak i saj. Duke njoftuar rezultatet e komisionit në Stokholm, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Metereologjike, Michel Jarraud nënvizoi kërcënimin.

“Raporti ynë duhet të shërbejë si një thirrje alarmi se aktivitetet tona sot do të kenë një ndikim të madh jo vetëm për ne, por për shumë breza në të ardhmen”.

Thirrja e alarmit u bë pak para takimit vjetor të Kombeve të Bashkuara në Varshavë, ku delegatë nga 192 vende u takuan për të hartuar një traktat të ri mbi klimën, për të zëvëndësuar atë që skadoi më 2012-tën.
Ajo që doli nga takimi ishte një sinjal se si mund të jetë traktati i ri global. Ai ka të ngjarrë të bashkojë politikat e vendeve të ndryshme, thotë Elliott Diringer, ekspert në Qendrën për Zgjidhje Klimatike dhe Energjitike. Ai thekson përpjekjet për uljen e niveleve të gazrave në Kinë, ligjin e ri të klimës në Meksikë dhe planin për veprim klimatik në Shtetet e Bashkuara, i njoftuar nga Presidenti Obama në qershor.

“Vendet, shtetet dhe qytetet nuk kanë pse të presin dhe nuk duhet të presin për një marrëveshje ndërkombëtare. Përkundrazi mendoj se përpjekjet e tyre duhet të bashkohen dhe integrohen në një marrëveshje ndërkombëtare. Vetëm nëse bëhet përparim në nivel lokal dhe kombëtar, ne do të jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje të fuqishme ndërkombëtare”.

Zoti Diringer shton se zgjidhjet për ndryshimet klimatike duhet të vijnë nga çdo nivel i qeverisë, nga sektori publik e shtetror si dhe nga çdo individ.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG