Lidhje

Legjitimiteti i zgjedhjeve në Afganistan në pikëpyetje

  • Zëri Amerikës

Legjitimiteti i zgjedhjeve në Afganistan në pikëpyetje

Legjitimiteti i zgjedhjeve në Afganistan në pikëpyetje

Afganët votuan dje për parlamentin e ri, megjithë sulmet me bomba dhe raketa gjatë zgjedhjeve që shihen si provë me rëndësi e luftës së qeverisë kundër talebanëve dhe korrupsionit. Fondacioni i Zgjedhjeve të Lira dhe të Drejta në Afganistan, një organizatë vëzhguese, tha se legjitimiteti i zgjedhjeve është me pikëpyetje. Organizata tha se ka shqetësime serioze lidhur me cilësinë e zgjedhjeve, duke patur parasyh kushtet e pasigurta në të cilat ato u zhvilluan dhe ankimet e shumta për mashtrime. Ambasadori i OKB-së në Afganistan, Stefan de Mistura i tha agjencisë Reuters se është tepër herët të përcaktohet në se zgjedhjet ishin të suksesshme. Forca ndërkombëtare e sigurisë, e udhëhequr nga NATO tha se shënoi mbi 300 incidente të lidhura me dhunën gjatë votimeve.

Banorë të Kabulit dolën të dielën që herët në pikat e shitjes së gazetave për të mësuar më shumë për votimet e djeshme. Disa prej tyre thonë se shpresojnë që parlamenti i ri do të mësojë nga gabimet e së kaluarës:

“Parlamenti aktual ka plot pikë negative. Nëse parlamenti i ri nuk u kushton vëmendje gabimeve të mëparshme, nuk do të jetë parlament i mirë,” thotë një student.

“Parlamenti i ri duhet të bëjë punë më të mirë dhe t’i shërbejë shoqërisë dhe kombit, e jo interesave vetjake. Nëse popullata mbetet e kënaqur me parlamentarët e rinj, do t’i zgjedhë ata përsëri në votimet e ardhshme,” thotë një banor i Kabulit.

Zgjedhjet e djeshme janë shansi i qeverisë aktuale për të pastruar imazhin, pas humbjes së kredibilitetit si në popullatë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, si rezultat i manipulimeve në zgjedhjet presidenciale të një viti më parë.

Por sulmet me raketa, mos- hapja e disa qendrave të votimit dhe akuzat për masa joefektive në parandalimin e manipulimeve bëjnë të domosdoshëm një proces rigoroz hetimesh dhe analizash të ankesave, në mënyrë që rezultati të ketë legjitimitet.

Vëzhguesit thonë se pjesëmarrja ishte e ulët, krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ministri afgan i Mbrojtjes Abdul Rahim Wardak bëri dje komente për shtyp:

“Pse ishte pjesëmarrja e ulët? Askush nuk e di me saktësi, por mund të ketë qenë rezultat i fushatës negative të armikut për të terrorizuar popullatën”.

Zyrtarët afganë të zgjedhjeve thonë se masat e dobëta të sigurisë bënë që disa qendra votimi të mos hapeshin. Kryengritësit vranë të paktën 1 kandidat dhe 18 punonjës të fushatës zgjedhore para fillimit të votimeve.

Ministria afgane e Mbrojtjes thotë se afro 300 mijë policë dhe ushtarë afganë, të mbështetur nga 150 mijë trupa ndërkombëtare ishin angazhuar për operacionet e sigurisë gjatë zgjedhjeve.

Andy Campbell është drejtor i Zyrës së Institutit Demokratik Kombëtar për Afganistanin, e cila ka ndihmuar në mbikqyrjen e votimeve. Ai thotë se zhvillimi i zgjedhjeve në çdo vend, qoftë edhe në periudhë paqeje, është një mision i vështirë:

“Zhvillimi i zgjedhjeve është sprova më e madhe logjistike që mund të marrë mbi vete një vend, përveç numërimit të popullsisë. Por këtu në Afganistan kemi edhe problemin tjetër të një kryengritjeje aktive në disa pjesë të vendit, si në veri edhe në jug”.

Rezultatet paraprake nuk priten para datës 8 tetor. Zyrtarët mund të shpallin rezultatet përfundimtare në fund të tetorit, pas zgjidhjes së ankesave për probleme apo manipulime. Komisioni i Ankesave për Zgjedhjet thotë se ka marrë deri tani njoftime për parregullsi, përfshirë hapjen me vonesë të qendrave të votimit, manipulime të kartave të regjistrimit, mangësi në fletë-votime dhe bojë e cilësisë së dobët që përdoret për të mos lejuar votim më shumë se një herë.



XS
SM
MD
LG