Lidhje

Në Florida, votuesit do të zgjedhin mes tre kandidatëve


Në Florida, votuesit do të zgjedhin mes tre kandidatëve
Në Florida, votuesit do të zgjedhin mes tre kandidatëve

Këtu në Shtetet e Bashkuara, rritja e së ashtuquajturës Lëvizje e Çajit po e shton pasigurinë në shumë prej garave zgjedhore për Kongresin. Normalisht, në shumicën e garave vihen ndaj njëri-tjetrit dy kandidatë – një republikan dhe një demokrat. Ndërsa në Florida, votuesit do të zgjedhin mes tre kandidatëve për senatin: një republikan të mbështetur nga Lëvizja e Çajit, një ish republikan dhe një demokrat.

Në Florida ka filluar votimi i parakohshëm, i cili u jep kohë njerëzve të mendohen mirë para se të hedhin votën. Në garën për një vend në senat, në vend të ndeshjes klasike me dy kandidatë, një demokrat dhe një republikan, votuesit mund të zgjedhin kësaj here mes tre kandidatëve kryesorë.

Në fakt, gara është e ngatërruar.

Tre kandidatët kryesorë janë republikani Marko Rubio, demokrati Kendrik Mik, dhe guvenatori Çarli Krist, i cili ishte zgjedhur si republikan para se të bëhej i pavarur.

Kristofer Man, profesor i politikës në Universitetin e Majamit, thotë se Florida nuk është mësuar me këtë lloj gare.

Veprimtarët e Lëvizjes së Çajit ndihmuan Marko Rubion të merrte emërimin e partisë republikane duke mundur guvernatorin Krist.

Krist thotë se votuesit republikanë do ta kuptojnë se Rubio nuk është i mirë për vendin pasi është një figurë që i polarizon njerëzit.

"Nëse Rubio zgjidhet senator, atëherë do të kemi edhe 6 vjet të tjera grindje dhe bllokime."

Në një debat të fundit, Rubio e akuzoi guvernatorin se po përpiqet të marrë nga të dyja partitë.

"Ai herë flet kështu e herë ndryshe sepse kërkon të fitojë zgjedhjet."

Ndërkohë në të gjithë vendin, kandidatët e Lëvizjes së Çajit po arrijnë të kenë ndikim. Disa prej tyre konkurrojnë si kandidatë të pavarur. Të tjerë kanë arritur t’ua marrin emërimin e partisë republikane nga duart favoritëve të tillë të kësaj partie si Çarli Krist.

Shumë republikanë të njohur si ish kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, po mbështesin zotin Rubio.

Krist, deri kohët e fundit republikan, po merr mbështetje nga disa demokratë të rëndësishëm, si Robert Kenedi Xhunior, nipi i ish presidentit Xhon Kenedi.

"Është e pazakontë dhe pak e dhimbshme të vish në Florida për të mbështetur dikë që nuk është anëtar i partisë demokrate. Por unë besoj se ai është kandidati më i mirë dhe i vetmi që mund të fitojë."

Veprimtarët demokratë në kontenë Palm Beach në veri të Majemit nuk e mbështesin kandidatin Krist.

Udhëheqësit e partisë mbështesin kandidatin e tyre, kongresmenin demokrat Meek dhe kërkojnë që Krist të largohet nga gara.

Ja ç’thotë Mark Alan Siegel i cili kryeson partinë demokrate në këtë konte.

"Ne nuk kemi ide se si do të na përfaqësojë ai në Uashington prandaj ai po i errëson alternativat që kanë përballë njerëzit."

Anketat e fundit tregojnë se Rubio kryeson garën. Por ekspertët thonë se ai do të humbiste nëse do të konkurronte vetëm ndaj kandidatëve Meek ose Krist.

Christopher Mann thotë se Rubio mund të fitojë por pa një mandat të qartë.

"Kjo do të thotë se vendi i tij do të jetë i pasigurt. Ai do të ketë 6 vjet kohë për t’u pozicionuar. Kjo nuk do të thotë se ai do të jetë një senator me pikëpamje dominuese por një senator kundër të cilit ka votuar një shumicë njerëzish."

Gjithçka do të përcaktohet nesër, më 2 nëntor, kur zgjedhësit e Floridës do të vendosin se kush do ta fitojë vendin për në senat.

XS
SM
MD
LG