Lidhje

Zgjedhje të reja për Greqinë


Greqia do të zhvillojë zgjedhje të reja pas dështimit të martën të bisedimeve për krijimin e një qeverie koalicioni. Zgjedhjet e 6 majit nuk nxorrën një fitues të qartë dhe pas një sërë përpjekjesh, forcat politike nuk arritën të binin dakort për një koalicion.

Udhëheqësit politikë u përpoqën prej disa ditësh për të formuar koalicione qeverisëse, por pa sukses.

Të martën, politikanët grekë ranë dakort se rivotimi ishte zgjidhja e vetme. Zgjedhjet e reja pritet të zhvillohen më 17 qershor.

Në zgjedhjet e majit, shumica e votuesve mbështetën partitë që kundërshtonin masat e ashpra ekonomike të miratuara kohët e fundit në Greqi. Ato ishin pjesë e paketës së rëndësishme të ndihmave , që u financua nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, për të shpëtuar ekonominë e Greqisë nga falimentimi.

Sipas anketave të zhvilluara javën e kaluar, partia e majtë radikale Syriza, që doli në vend të dytë në zgjedhje, tani kryeson.

Kjo parti ka mbajtur qëndrime të vendosura kundër masave shtrënguese ekonomike dhe ka thënë se synon të rinegociojë paketën e ndihmave.

Vasilis Monastiriotis, profesor në universitetin prestigjioz, Shkolla Ekonomike të Londrës, i tha Zërit të Amerikës se kjo parti, ndonëse nuk pritet të fitojë shumicën absolute në parlament, mund të marrë mbështetje të mjaftueshme për të përcaktuar politikën greke.

“Ata mund të jenë në gjendje të formojnë në qeveri koalicioni, duke qënë partia më e fortë në parlament dhe si e tillë, qeveria mund t’i nënshtrohet kushteve të tyre, në vend që të ishin partia e vogël në koalicion me më pak ndikim.”

Por, shton ai, synimi i partisë për të rinegociuar kushtet e paketës së ndihmave që mori Greqia, nuk pritet të ketë sukses.

Bashkimi Evropian, thotë ai, nuk pritet t’i ndryshsojë kushtet e marrëveshjes.

“Në se kjo parti këmbëngul në atë që ka premtuar, është plotësisht e mundshme që të ketë bllokim në nivel evropian, gjë që mbart me vete rrezikun që Greqia të dalë nga eurozona”.

Partia Syriza, së bashku me shumicën e grekëve, thonë se duan të mbeten në Eurozonë. Udhëheqësit evropianë kanë theksuar angazhimin e tyre për ta mbajtur Greqinë brenda zonës. Por shumë analistë thonë se ky vend i zhytur financiarisht në borxhe, mund të jetë drejt daljes nga Eurozona.

Greqia ndodhet në vitin e pestë të recesionit. Sipas të dhënave të botuara të martën, ekonomia greke, ra me më shumë se 6 përqind në tre mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me një vit më parë.

Zyra e presidentit të Greqisë tha se do të fillojë të mërkurën bisedimet për krijimin e një qeverie të përkohshme.

XS
SM
MD
LG