Lidhje

Në këtë periudhë trazirash në Lindjen e Mesme, Katari kërkon të rrisë rolin e vet në rajon


Në këtë periudhë trazirash në Lindjen e Mesme, Katari kërkon të rrisë rolin e vet në rajon
Në këtë periudhë trazirash në Lindjen e Mesme, Katari kërkon të rrisë rolin e vet në rajon

Ndërkohë që shumë prej fqinjëve të vet përballen me protestat e qytetarëve të tyre, shteti i vogël i Katarit në Gjirin Persik vazhdon të forcojë pozicionin e tij si drejtues i politikave rajonale. Por nëse kjo monarki absolute do t’ia dalë mbanë të mbaj këtë rol në Lindjen e Mesme pas protestave të Pranverës Arabe, mbetet ende e paqartë.

Në mars, kombi i Katarit në Gjirin Persik mori lavdërime ndërkombëtare, pasi ishte vendi i parë arab që dërgoi trupa në Libi në mbështetje të misionit ushtarak të NATO-s kundër forcave besnike të Gadafit.

Përkrahja e Katarit nuk mbaroi me aq. Ai ishte gjithashtu shteti i parë arab që vendosi të njohë rebelët libianë si përfaqësuesit e ligjshëm të vendit të tyre. Katari organizoi në territorin e vet takimin e parë të Grupit Ndërkombëtar të Kontaktit për Libinë si dhe përdori disa nga të ardhurat e veta të shumta të industrisë së naftës për t’i dhënë Këshillit Kombëtar Kalimtar 400 milionë dollarë ndihma.

Disa media ndërkombëtare i kanë cilësuar këto perpjekje të Katarit si të papritura. Por, analisti për çështjet e Gjirit Persik Mehran Kamrava, i cili është drejtor i Qëndrës për Studimet Ndërkombëtare dhe Rajonale në Doha e Universitetit Georgetown, thotë se nuk është i befasuar nga këto lëvizje.

“Përfshirja e Katarit në krizën e Libisë qysh herët dhe kaq gjerësisht nuk është me doemos e papritur pasi është e ngjashme me diplomacinë mjaft aktive të tij, e cila e ka vendosur Katarin në krye të çështjeve rajonale.”

Ka patur edhe kritika ndaj këtij vendi. Elliot Abrams, studiues me përvojë mbi çështjet e Lindjes së Mesme në Këshillin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare me qendër në Nju Jork, thotë se edhe pse Katari ka qenë një partner vërtet i rëndësishëm gjatë krizës libiane, qëllimi i këtij shteti është vetëm realizimi i interesave te veta.

“Vendimi për të mbështetur rebelët nuk bazohej në ndonjë parim. Nuk ishte diçka që synonte përparimin e demokracisë apo atë të lirive të individit sepse nëse do të ishte kështu, ata nuk do të mbanin qëndrimin që kanë deklaruar në lidhje me Bahreinin.”

Në të njëjtën kohë që Katari filloi të mbështesë ndërhyrjen ushtarake në Libi, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, në të cilin Katari është anëtar, po përdorte trupa për të ndihmuar shtypjen e protestave që kërkonin vendosjen e një regjimi demokratik në Bahrein.

Udhëheqësi i Katarit, Sheikh Hamad bin Kalifa al-Tani, më vonë u shpreh se përkrahte masat e marra nga Barheini kundër protestuesve, për të cilat grupet për të drejtat e njeriut thonë se shkaktuan mbi 30 viktima.

Sipas zotit Abrams, qëndrimet e ndryshme të mbajtura nga Katari lidhur me çështjet e jashtme tregojnë se ky vend mund të zbatojë politika të jashtme të përgatitura me kujdes e mjeshtëri për secilin rast.

“Herën tjetër ne mund të mos e kemi Katarin në anën tonë. Zgjerimi i ndikimit politik të Katarit është diçka e pasigurt.”

Katari është aleat si i Shteteve të Bashkuara ashtu edhe i Iranit. Se si ky vend do të vazhdojë me marrëdhëniet e tij ndërkombëtare mbetet për t’u parë. Megjithatë, është pothusajse i sigurt fakti që Katari do të fillojë të kërkojë të mbledhë përfitime në Libi sapo të jetë e mundur.

Libia ka mjaft mundësi për investime, me në krye shoqërinë kombëtare të naftës – që kontrollon rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar në Afrikë.

Toby Jones, ndihmës profesor i historisë së Lindjes së Mesme në Universitetin Rutgers, thotë se tani që shtetet e huaja po diskutojnë se si mund të përfitojnë nga kriza në Libi, është ende shpejt për të përcaktuar se kush do të marr pjesë në procesin e rindërtimit dhe në çfarë përmasash.

“Se kush do të jetë në krye në Tripoli kur situata të qetësohet mbetet ende e paqartë. Por ajo do të jetë diçka që do të ndikojë mjaft mbi përcaktimin jo vetëm të faktorëve rajonalë që do të kenë mundësi të angazhohen por edhe të mundësive të përfshirjes në procesin e rindërtimit të fuqive botërore.”

Katarit do t’i duhet të garojë kundër shoqërive Kineze, Ruse dhe atyre perëndimore. Kështu që, nëse pasuria e madhe e këtij shteti të vogël i lejon atij tani të ketë ndikim politik tek rebelët, kjo mund të mos jetë e mundur në të ardhmen.

Analisti Abrams thotë se e njëtja gjë mund të thuhet edhe në lidhje me rolin e Katarit si drejtues i politikave të rajonit. Ekziston mundësia që Katari të bëhet gjithmonë e më pak i rëndësishëm kur më shumë vende në rajon të kërkojnë të demokratizohen.

“Nëse këto vende do të kenë drejtues demokratikë, unë mendoj që, edhe pse ata nuk janë aq të pasur sa Katari, ata mund t’a sfidojnë atë duke pyetur se çfarë i jep të drejtë Katarit të drejtojë botën arabe. Duke nënvizuar që Katari ka një popullsi mjaft të vogël dhe një sistem politik që është praktikisht një monarki absolute, ata do të mund të thonë se ata duhet t’a drejtojnë botën arabe.”

Pra, ndërkohë që kërkesat për demokraci vazhdojnë të sjellin ndryshime kudo në rajon, duket se Katarit do t’i duhet të presë për të parë se çfarë roli do të ketë, jo vetëm në Libi, por në të gjithë Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG