Lidhje

Në konferencën për klimën diskutohet mbi përfitimet dhe pasojat e ngrohjes globale


Në konferencën për klimën diskutohet mbi përfitimet dhe pasojat e ngrohjes globale
Në konferencën për klimën diskutohet mbi përfitimet dhe pasojat e ngrohjes globale

Shkencëtarët thonë se shumë nga pasojat afatgjatë të rritjes së temperaturës janë ende të panjohura për njerëzit. Ata po diskutojnë lidhur me këtë problem në konferencën për ndryshimet klimatike që po mbahet në Durban, të Afrikës së Jugut. Studjuesit thonë ndryshimi i klimës sjell një numër përfitimesh komplekse dhe pasojash, që lidhen sidomos me prodhimin e ushqimeve.

Në fillim të nëntorit, studiues nga disa vende të botës u takuan në Pekin. Ata përfaqësonin të ashtuquajturit vende BRICS, që janë vende me zhvillim të shpejtë ekonomik, si Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, si dhe Shtetet e Bashkuara dhe Indonezia. Ata diskutuan për ndryshimet klimatike dhe sigurinë e ushqimeve dhe ranë dakord për një numër ëështjesh dhe rekomandimesh për t’u paraqitur në konferencën e Durbanit. Një nga këta studjues, Gerlad Nelson, thotë se në takimin e Pekinit pjesëmarrësit ranë dakord për një program për negociatorët e traktatit për ndryshimet klimatike. Ky program përqëndrohet tek roli i bujqësisë.

“Avantazhi i programit tonë është se delegatët mund të njihen menjëherë me rezultatet e studimit mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike tek bujqësia”.

Zoti Nelson punon në Institutin Ndërkombëtar për Studimin e Politikave me seli në Washington, i njohur si IFPRI. Nelson thotë se kërkuesit kanë njohuri për ndryshimet klimatike, por ata duhet të dijnë më tepër.”

“Rezultatet e studimeve tona, të kuptuarit për atë që po ndodh sot mbi sipërfaqen e planetit tone, pengohet nga mungesa e të dhënave. Ne kemi shumë pak informacione mbi ndryshimet aktuale që po ndodhin në planetin tonë. Ende shumë pak njohuri për t’i kuptuar këto ndryshime. Duhet të përpiqemi më shumë për të grumbulluar të dhëna lidhur me vendin e ndryshimeve dhe mënyrën se si ato po ndodhin.”

Në vështrim të parë, disa nga ndryshimet që janë duke ndodhur duket se janë të vlefshme, të paktën tani për tani.

“Kështu për shembull, në shtetin e Iowa-s, fermerët shohin se është zgjatur periudha e prodhimit. Këtë vit, ata po i mbjellin më herët farërat. Po ashtu stina e pranverës shoqërohet me më tepër reshje…Në Kinë, provinca Heilogjiang, ku zakonisht nuk prodhohej orizi, tani prodhon 15 për qind të orizit në vendit. Në pjesën veriore të Rusisë, tani prodhohet gruri, i cili 20, apo 30 vjet më pare ishte e pamundur të prodhohej.”

Por ç’ndodh në se temperaturat globale vazhdojnë të rriten? A do të vazhdojnë këto përfitime të dukshme? Ndoshta jo.

"Në një periudhë afatshkurtër, rritja e temperaturës duket se është pozitive. Psh, prodhimi i orizit më në veri të Kinës ngaqë atje tani është më ngrohtë, është diçka e mirë për këtë vend. Është më e vështirë të veçosh sinjalet e klimës, sa më shumë që i afrohesh mesit të planetit. Ndryshimet dallohen më mirë në pjesën veriore. Por natyrisht, që kjo ndodh me ndryshimin e klimës që kemi deri tani.”

Zoti Nelson thotë se parashikimet e motit tregojnë për rritje të konsiderueshme të temperaturave. Ai thotë se gjatë 100 vjetëve të fundit ka patur një rritje temperature prej rreth 1 grade Celcius. Por parashikimi tani është për një rritje temperature me 2 gradë Celcius deri në vitin 2050. Një rritje e tillë, thotë studjuesi, mund të ketë një ndikim dramatik tek prodhimi i misrit.

“Bima e misrit, psh, mund të japë prodhim të mirë përsa kohë që temperatura është 30-31 gradë Celcius. Por kur temperatura rritet në 32-33 gradë, studimet më të fundit kanë treguar se prodhimi ka rënë ndjeshëm.”

Studjuesi Nelson dhe pjesëmarrës të tjerë në takimin e Pekinit nxorën një listë me 12 përparësi për ndryshimet klimatike. Një prej tyre paralajmëron se një rritje temperature po ashtu mund të sjellë një rritje të insekteve të dëmshme që sulmojnë të mbjellat.

“Insektet në veçanti, me rritjen e temperaturave, riprodhohen më shumë. Pra, në vend që të riprodhohen 3 herë në sezon, ato riprodhohen 4, ose 5 herë. Dhe kjo do të thotë që bimët të dëmtohen më tepër me rritjen e tyre”.

Me rritjen e temperaturës, rajonet mund të humbin periudhën e ngricave që ndihmojnë të kufizimin e numrit të insekteve. Ndërsa barërat e këqia, shtohen shumë më tepër në kushtet e shtimit të dioksidit të karbonit në mjedis.

Pastaj kemi kafshët ripërtypëse, të cilat prodhojnë shumë gaz metan gjatë tretjes së ushqimit. Studjuesi Nelson thotë se gazi metan është shumë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit. Një numër më i madh vendesh pritet ta shtojnë numrin e bagëtive me përmirësimin e kushteve të tyre të jetës.

Përparësi të tjera janë shfrytëzimi i tokës, bioteknologjia, humbjet në ushqimet e magazinuara dhe përgatitja teknike e studjuesve, fermerëve dhe të tjerëve, që ta trajtojnë më mirë ngrohjen globale.

XS
SM
MD
LG