Lidhje

Në Kosovë fillojnë kremtimet e përvjetorit të pavarësisë


Në Kosovë fillojnë kremtimet e përvjetorit të pavarësisë
Në Kosovë fillojnë kremtimet e përvjetorit të pavarësisë

Kosova kremton nesër katër vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Serbia, e cila vazhdon të kundërshtojë atë. Deri tash 86 vende të botës e kanë njohur shtetin e ri.

Në një seancë solemne në Parlamentin e Kosovës, udhëheqësit politikë thanë se vendi në këto katër vjet ka shënuar suksese në punën e përbashkët me miqtë ndërkombëtarë. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se Kosova tash është faktor paqeje dhe qëndrueshmërie në rajon e më gjerë e cila zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore duke dhënë një shembull të bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.

“Kosova e ka ndërtuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar dhe do të përfaqësohet e barabartë e me reciprocitet të plotë. Proceset nuk kthehen mbrapa dhe askush nuk mund të krijojë përshtypjen se procesi i pavarësisë së Kosovës nuk është i përfunduar”, tha presidentja Jahjaga.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se shekulli 21 kërkon qasje të reja në marrëdhëniet dhe politikat e jashtme dhe të brendshme të shteteve të Ballkanit.

“Kjo qasje duhet të mbështetet në vlerat euro-atlantike duke nxjerrë konkluzione të drejta mbi të kaluarën e hidhur, duke zëvendësuar urrejtjen ndëretnike e shovinizmin në respektin reciprok, etno-centrizmin me solidaritetin, ekskluzivitetin me integrimet, mos durimin nacional me diversitetin etnik, kulturor, gjuhësor e fetar si pasuri vlerash demokratike”, tha krye parlamentari Krasniqi.

Për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, Republika e Kosovës është tregim i suksesshëm.

“Për derisa dje, sfidë kryesore e jona ishte mbijetesa, çlirimi dhe pavarësia sfidat e së ardhmes sonë janë zhvillimi dhe integrimi. Ne nuk do të ndalemi së punuari për realizimin e projektit madhor që qytetarët tanë të jenë të barabartë me ata të Bashkimin Evropian. Pra, shteti i Kosovës të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha kryeministri Thaçi.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të pavarësisë nxori një dekret për faljen e dënimit të mbetur apo uljen e dënimit të 15 personave, që janë duke vuajtur dënimet nëpër burgjet e Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 në bazë të planit të zotit Ahtisaari ndërsa zbatimi i tij mbikëqyret nga Grupi Drejtues Ndërkombëtarë dhe zyra civile e tij në Kosovë. Kjo mbikëqyrje pritet të përmbyllet deri në fund të këtij viti.

Pavarësia e Kosovës vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi, ndërsa veriu i Kosovës është shndërruar në skenën e kundërshtimeve më të ashpra. Gjatë dy ditëve të kaluara atje është votuar në një referendum të organizuar nga serbët lokal, në të cilin siç thuhet mbi 99 për qind e pjesëmarrësve janë deklaruar kundër njohjes së institucioneve të Prishtinës.

XS
SM
MD
LG