Lidhje

Në Maqedoni, politikanët shqiptarë zhvillojnë fushatë parazgjedhore të qetë

  • Isak Ramadani
  • Shkup

Në Maqedoni, politikanët shqiptarë zhvillojnë fushatë parazgjedhore të qetë

Në Maqedoni, politikanët shqiptarë zhvillojnë fushatë parazgjedhore të qetë

Në Maqedoni, fushata parazgjedhore brenda bllokut politik shqiptar po zhvillohet mjaft e qetë dhe me dinjitet, gjë që ka habitur vëzhguesit dhe analistët politikë, me që në të kaluarën nuk ndodhte kështu. Për dallim, partitë maqedonase po përdorin një retorikë denigruese, ndërkohë që nuk kanë munguar as incidentet në shtabet e tyre zgjedhore.

Analistët shprehen me tone pozitive për rrjedhën e fushatës parazgjedhore brenda bllokut politik shqiptar, ndërsa shpresojnë se fushata do të jetë pozitive pa retorika fyese e nënçmuese dhe pa incidente deri në ditën e zgjedhjeve.

Rizvan Sulejmani i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkulturore thotë se prapa marrëveshjes së nënshkruar midis Ali Ahmetit të BDI-së dhe Menduh Thaçit të PDSH-së ndoshta ekziston një marrëveshje më e thellë që do të nënkuptonte një front me të gjerë për çështje të caktuara strategjike, siç është emri i Maqedonisë dhe të tjera që lidhen me të drejtat e shqiptarëve. Analisti Sulejmani mendon se dy partitë ndoshta do të mund të bashkëpuonin në të ardhmen. “Është për t’u përshëndetur toni dhe fjalori i partive shqiptare në fushatë që nuk ka qenë deri tash praktikë”, thotë Z. Sulejmani.

Edhe analisti Sefer Tahiri i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim vlerëson se marrëveshja Ahmeti-Thaçi ka ndikuar në fushatën e qetë ndërsa thotë se shqiptarët janë të ngopur dhe nuk do të lejonin që edhe në këto zgjedhje të përsëriten skenaret e zgjedhjeve të kaluara të cilat nxijnë sidomos imazhin e shqiptarëve para opinionit vendës dhe të huaj dhe krijojnë imazhin se shqiptarët në Maqedoni janë ata të cilët bëjnë incidente, cënojnë të drejtën e votës, votojnë në grup dhe gjatë fushatës përdorin një retorikë diskualifikuese.

Ndërkohë, Ambasadori amerikan në Shkup Philip Reeker ka shprehur mbështetje për shoqatën qytetare MOST në përpjekjet e saj për vëzhgimin e procesit zgjedhor. Këto janë zgjedhje shumë me rëndësi për të ardhmen e Maqedonisë dhe ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme dhe të jenë sipas standardeve. Ambasadori ka inkurajuar qytetarët e Maqedonisë që të dalin dhe të votojnë më pesë qershor.

" Nuk ka haspirë në këto zgjedhje për frikësim", - ka thënë ambasadori amerikan Rikër gjatë vizitës që i bëri shoqatës Most e cila njihet për vëzhgimin e zgjedhjeve në këto dhjetë vitet e fundit.

Analistët, ndërkohë japin vlerësime në lidhje me premtimet e partive politike:

Të gjitha programet e partive shqiptare duken si programe të urgjencës, si programe ad hoc dhe e keqja më e madhe është se partitë shqiptare nuk kanë ndërtuar bazat ideologjike se mbi cilat vlera do të realizohen këto programe në mënyrë që bashkëpunimi ndërmjet partive shqiptare dhe atyre maqedonase të bëhet edhe mbi parimet dhe vlerat ideologjike. Premtimet si dy miliardë Euro investime të huaja dhe zgjidhja e çështjes së emrit brenda njëqind ditësh janë të parealizueshme dhe sidomos kur ato vijnë nga parti të vogla dhe pa kapacitet për të realizuar një gjë të tillë, thotë analisti Sulejmani.

“Unë mendoj se programet e partive shqiptare gjasojnë më shumë në dëshira se sa që kanë mundësi të konkretizohen dhe ato ide të zbatohen në jetën institucionale. Për momentin nuk shoh gatishmëri politike as tek VMRO-ja në pushtet as te Lidhja Social Demokrate e opozitës që t’i realizojnë platformat shqiptare dhe sidomos jo ato të cilat çojnë drejt demokracisë konsensuale sepse kjo gjë e ripërcakton sistemin politik dhe juridik të vendit dhe natyrisht çon në ndryshime të reja kushtetuese",- thotë analisti Tahiri.

Rizvan Sulejmani ndërkaq e vë theksin tek qëndrimi i opozitës maqedonase për një referendum në lidhje me zgjidhjen e emrit të Maqedonisë për çka thotë se paraqet sfidë për partitë shqiptare sepse këto të fundit nuk kanë përgjigje për këtë e as pronincime publike. Ai mendon se Lidhja Social Demokrate e opozitës luftën e bën kundër qeverisë dhe jo për realizimin e programit të saj.

Ndërkohë, Sefer Tahiri mendon se me afrimin e ditës së zgjedhjeve fushata mund të ashpërsohet sikundër dhe retorika e opozitës shqiptare ndaj BDI-së në pushtet: "Debati politik parazgjedhor është i mirëseardhur edhe nëse ka tone pak më të ashpra", thotë ai.

XS
SM
MD
LG