Lidhje

Në një qytet port të Japonisë, shpresa ringjallet mes rrënojave

  • Henry Ridgewell

Në një qytet port të Japonisë, shpresa ringjallet mes rrënojave

Në një qytet port të Japonisë, shpresa ringjallet mes rrënojave

Kryeministri japonez ka premtuar të rindërtojë vendin nga fillimi ndërsa kostoja e tërmetit dhe cunamit të javës së kaluar mendohet të ketë arritur shifrën mbi 120 miliardë dollarë. Vala masive përfshiu një brez të tërë të bregut, duke marrë me vete fabrika, ferma, rrugë, hekurudha, shtëpi dhe mijëra viktima. Porti i rrënuar i Kamaishit në prefekturën e Ivates ka një histori të gjatë të rilindjes pas katastrofave. Mes rrënojave edhe këtë radhë, është ngjallur shpresa dhe përpjekjet e rindërtimit kanë filluar.

Fregata 6 mijë tonëshe Simfonia e Azisë shtrihet në bregun e Kamaishit. Cunami e shtyu në port dhe në një afërsi të rrezikshme me një shtëpi fqinje.

Prania surreale e saj, është bërë simbol i dëmit të shkaktuar.

Përveç se ka shkaktuar vdekjen e qindra banorëve, cunami e ka goditur zemrën e industrisë së këtij porti të ngarkuar.

Mes rrënojave të kantierit detar, ecën punëtori i ndërtimit Mazakatsu Sano. Ai thotë se gjithçka ngjan e pabesueshme, si një ëndërr.

“Do të duhet të paktën një vit për të rindërtuar këtë vend. Duhet ta bëjmë çdo gjë nga fillimi: ujin, gazin, energjinë elektrike...”

Sano shton se Kamaishi është i famshëm në gjithë botën për çelikun e cilësisë së lartë.

Mbi port ngrihet fabrika e çelikut Nippon. Është një nga kompanitë më të mëdha që siguron punësim dhe prodhon një përqindje të lartë të telave dhe shufrave të çelikut për rrotat e makinave dhe urave. Prodhimi mujor i kompleksit prej 60 mijë tonësh është eliminuar krejtësisht.

Ayako Ito dhe Sei Obara, miq të vjetër po ecin në rrugët e qytetit të shkatërruar. Ata janë respektivisht 84 dhe 82 vjeç dhe e mbajnë mend kur Kamaishi u vu në shënjestër për anijet luftarake të aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shkak të prodhimit të rëndësishëm të çelikut.

“Anijet luftarake në gji hapën zjarr 300 metra brenda tokës. Ishte e tmerrshme”.

“Politikanët sot nuk e dinë se si ishte atëherë. Është për të ardhur keq”.

“Kur u hap zjarr me breshëri, gjithkush tha se duhej të fshiheshim mbrapa këtij strehimi të madh prej druri. Por një bombë ra prapa tij dhe shumë njerëz humbën jetën. Akoma tronditem kur e mendoj. Çdo ditë ne merrnim oriz dhe fasule me vete, që t’i kishim nëse shtëpitë tona shkatërroheshin”,.

“Kur i mbiejtuam asaj kohe, mund t’i mbijetojmë edhe kësaj katastrofe. Do të punojmë më shumë, do të përpiqemi”.

Në anijet luftarake të ankoruara tani në Kamaishi janë forcat japoneze të vetëmbrojtjes që po e përdorin qytetin si bazë për përpjekjet e shpëtimit.

Qendra e Kamaishit është një shesh i mbushur me rrënoja, rrugët plot me ato që ishin objekte të një jete normale, që shumë shpesh do të spastrohen nga kamionët e pafund të plehrave që nxjerrin re pluhuri mbytës.

Të mbijetuarit, të çorientuar, një rradhë pa mbarim refugjatësh të cunamit ecin mes rrënojave.

Cunami shkatërroi të gjithë këtë pjesë të bregut, por ka dëmtuar edhe ekonominë e Japonisë. Do t’i kushtojë ekonomisë së tretë më të madhe miliarda dollarë vetëm për të spastruar zonën e prekur. Më pas fillon detyra e rindërtimit të infrastrukturës. Në klimën aktuale financiare, nuk do të jetë e lehtë.

Por ndikimi ekonomik do të jetë më i madh mbi gjysmë milionë të pastrehët. Isao Nozawa dhe familja e tij po kontrollojnë rrënojat e shtëpisë së tyre të shkatërruar, e cila u shkul nga themelet dhe ngeci mbi makinën e tyre.

“Nuk kishte sigurime për këtë dëm. Ishte shumë shtrenjtë të siguroheshe për cunami, ose tërmet”.

Në port, Mazakatsu Sano i hedh një vështrim relievit që gjatë gjithë jetës ka qenë vendi i tij i punës.

“Ndoshta do të kemi punë me përpjekjet e rindërtimit”.

Cunami e ka shkatërruar Kamaishin. Të dy të mbijetuarit këmbëngulin se së shpejti vinçat dhe kantieret tashmë të heshtur do të zhurmojnë përsëri me tingujt industrialë.

XS
SM
MD
LG