Lidhje

Në prag të takimit të G8-tës

  • Henry Ridgwell

Në prag të takimit të G8-tës

Në prag të takimit të G8-tës

Me kryengritjet që po shtohen në botën arabe dhe ekonominë e paqëndrueshme botërore, Grupi i Tetëshes do të ketë shumë gjëra për të diskutuar në takimin e kësaj jave në Francë. Por mospajtimet mbi mënyrën e përgjigjes së këtyre sfidave globale kanë potencialin të shkaktojnë mosmarrëveshje mes udhëheqësve të G-8-ës.

Një plan pune i ngjeshur i pret udhëheqësit botëror ndërsa afrohet takimi në qytetin bregdetar francez të Deauville-it. Në krye të listës: pyetja si do të përgjigjet pjesa tjetër e botës ndaj kryengritjeve në mbarë botën arabe.

Aleanca e NATOs është angazhuar në fushatën e bombardimeve kundër forcave të kolonelit Moammar Gadafi në Libi dhe në disa vende ka shqetësime se misioni po zvarritet.

Stephanie Rickard është ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin London School of Economics.

"Mund të ketë njëfarë konflikti, veçanërisht me Rusinë. Rusia e ka bërë të qartë se nuk mbështesin atë që po ndodh në Libi, ata nuk mendojnë se kjo ndërhyrje është rruga e duhur. Pra ka vend për mosmarrëveshje mes Rusisë dhe disa vendeve të tjera të G-8. Por përsëri kjo mosmarrëveshje do të ndodhë pas dyerve të mbyllura".

Shtypja e dhunshme e protestave në Siri dhe Bahrain do të jetë gjithashtu temë e takimit të G-8. Analistët thonë se mosmarrëveshje ka të ngjarë të ketë mbi mënyrën sesi bota e jashtme duhet ta trajtojë këtë çështje.

Duke vizituar Britaninë para G-8-ës, sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton i dha një paralajmërim të qartë udhëheqjes siriane.

"Presidenti Assad ka një zgjidhje: ai mund të drejtojë tranzicionin në demokracinë që kërkon populli sirian ose mund të bëjë atë që tha presidenti Obama – të largohet. Por nuk ka dyshim se nëse nuk e fillon këtë proces, regjimi i tij do të përballet me trysni në rritje dhe izolim".

Pakistani do të përballet gjithashtu me kritika në takim pas vrasjes së Osama bin Ladenit nga forcat amerikane në tokën pakistaneze.
Përveç kësaj, udhëheqësit botëror kanë paralajmëruar se konflikti në Afganistan është në rrezik të eklipsohet nga e ashtuquajtura pranvera arabe.

Një temë tjetër në takim do të jetë programi bërthamor i Iranit. Bashkimi Evropian ka ripërsëritur sanksionet kundër Teheranit, duke e akuzuar se po përpiqet të prodhojë armë bërthamore. Sekretari i jashtëm britanik William Hague thotë se presioni mbi Iranin duhet të vazhdojë.

"Është e rëndësishme të mos harrojmë, ndërsa ndodhin kaq shumë ndryshime në Lindjen e Mesme, se Irani vazhdon programin e tij bërthamor. Ne kemi kërkuar prej shumë muajsh shtimin e presionit paqësor mbi Iranin".

Pasojat e krizës bërthamore në Fukushima të Japonisë do të diskutohen gjithashtu në takim. Franca ka kërkuar standarte të reja ndërkombëtare të sigurisë për uzinat bërthamore.

Me Japoninë që po kthehet në recesion dhe krizën e borxheve që po kërcënon Evropën, ekonomia botërore vazhdon të jetë në gjendje të brishtë.

Përveç këtyre, është dorëheqja e Dominique Strauss-Kahn si kreu i FMN-së pas akuzave të skandalit seksual në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Stephanie Rickard thotë se këto çështje mund të mos jetë në krye të listës.

"Është e rëndësishme të kujtojmë se G8 në vitin 2009 tha specifikisht se G20 do të ishte forumi i çështjeve të ekonomisë ndërkombëtare. Kështu që G8 ia ka kaluar këto çështje G20-ës dhe po përqëndrohet veçanërisht në çështjet gjeopolitike dhe të sigurisë".

Në këtë pikë turistike të Normandisë të përgatitur për G8-ën, udhëheqësit botërorë do të ketë pak kohë të argëtohen me pamjet që i rrethojnë.

XS
SM
MD
LG