Lidhje

Shqipëria dënon me forcë arrestimet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

  • Armand Mero

Në Shqipëri autoritetet më të larta të vendit dënuan me forcë arrestimet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga policia serbe. Presidenti Bamir Topi foli për “skenarë ogurzinj të forcave ultranacionaliste serbe”. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha i cilësoi arrestimet si “akte terrori policesk me qëllime të ulta politike të autoriteteve të Beogradit”. Shqetësim u shpreh edhe nga partia socialiste e cila paralajmëron për “rrezikun e rikthimit të retorikës e praktikave të pak viteve më pare, të cilat dëmtojnë rëndë harmonin ndëretnike”.

Autoritetet më të larta shqiptare dënuan me forcë ngjarjet e fundit në Luginën e Preshevës në jug të Serbisë, ku policia serbe arrestoi disa shqiptarë duke i akuzuar ata për krime lufte, dy ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve. Në një deklaratë mbi këto zhvillime presidenti Bamir Topi ka folur për “skenare ogurzinj të forcave ultranacionaliste serbe për të krijuar terror dhe frikë ndaj popullsisë shqiptare.

Këto veprime të paramenduara që shkelin standardet demokratike dhe personalitetin e palëkundur të popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës, synojnë të destabilizojnë paqen dhe sigurinë e popujve të rajonit”. Presidenti Topi thekson më tej se, “tashmë në Evropën demokratike asnjë skenar i forcave ultranacionaliste dhe shoviniste serbe dhe i kujtdo qoftë nuk mund të trembë shqiptarët, t’i terrorizojë ata dhe t'i largojë nga të drejtat e tyre legjitime për të jetuar të barabartë e në paqe në trojet e tyre amtare”.


Reagim i fortë ka ardhur edhe nga qeveria e cila në deklaratën e saj “dënon me ashpërsi arrestimet, keqtrajtimet, bastisjet e shqiptarëve nga fallangat serbe në Luginën e Preshevës, në ditën e heshtjes elektorale, si një akt terrori policesk, me qëllime të ulëta politike”, thuhet në deklaratë. Qeveria shqiptare shprehet se “mbështet plotësisht deklaratën e këshillave komunale të tre komunave të Luginës së Preshevës për këto akte të shëmtuara të autoriteteve të Beogradit që, me dhunë dhe terror, duan të pengojnë shqiptarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.

Me anë të deklaratës së saj qeveria shqiptare “u bën thirrje shqiptarëve në të tri komunat të marrin pjesë masive në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim dhe të dënojnë me votën e tyre aktet primitive të dhunës zyrtare të ushtruar nga autoritet e Beogradit ndaj tyre”, përfundon reagimi i ekzekutivit shqiptar.

Shqetësim është shprehur edhe partia socialiste. “Bastisjet dhe arrestimet e shqiptarëve në afërsi të Bujanovcit dhe proceset e montuara polikisht, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve në atmosferën e frikës, panikut e presioneve – thuhet në deklaratën e forcës kryesore politike të opozitës - vënë në diskutim standardet demokratike ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut të detyrueshme për çdo vend”.

Partia Socialiste bën “thirrje për uljen e tensioneve ndëretnike dhe paralajmëron për rrezikun që vjen nga rikthimi i retorikës e praktikave të pak viteve më parë, të cilat dëmtojnë rëndë harmoninë ndëretnike dhe pengojnë bashkëpunimin rajonal, si një element i rëndësishëm edhe për proceset integruese euro-atlantike të rajonit”, thuhet në deklaratën me anë të së cilës socialistët shprehin mbështetjen e plotë për faktorin politik shqiptar në përpjekjet e tij për përballimin me maturi e pjekuri të provokimeve dhe të tentativave për zbrazjen e Luginës së Preshevës nga shqiptarët”, përfundon reagimi i partisë socialiste.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG