Lidhje

Në Shqipëri mbërrin trupi i kapitenit Feti Vogli, i vrarë në Afganistan

  • Armand Mero

Në Shqipëri mbërrin trupi i kapitenit Feti Vogli, i vrarë në Afganistan

Në Shqipëri mbërrin trupi i kapitenit Feti Vogli, i vrarë në Afganistan

Në Shqipëri mbërriti sot në orët e para të mëngjesit trupi i kapitenit Feti Vogli i cili katër ditë më parë humbi jetën në Afghanistan ku ai ishte pjesë e kontingjenit paqeruatës shqiptar. Kapiten Vogli po kryente një mision me një njësi të përbashkët shqiptaro-amerikane në zonën e Kandaharit kur u qëllua nga një breshëri plumbash nga armët e një grupi policësh afganë. Ndërkohë nëntetari Aleksandër Peci, i plagosur gjatë të njëjtit sulm, u transferua dje në një spital ushtark amerikan në Gjermani për një trajtim të specializuar mjekësor

Trupi i kapiten Voglit mbërriti në atdhe në orën 3.04 minuta në aeroportin ndërkombëtr “Nënë Tereza”, të Tiranës, me një avion ushtarak amerikan. Nën tingujt e muzikës funebre, arkivoli i mbuluar me flamurin shqiptar u nxorr nga avioni, ndërsa në pistën e aeroportit, ku ishte shtruar një tapet i kuq prisnin për t’i bërë nderimet, përvec familjarëve edhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe drejtues ë lartë të ushtrisë shqiptare.

Makina e funeralit ku u vendos trupi i pajetë, la aeroportin e Rinasit në orën 3.35 për t’ju drejtuar banesës së tij në fshatin Baldushk të Tiranës. Ceremonia mortore familjare pritet të zhvillohet deri në orën 10 të paradites dhe më pas arkivoli me trupin e tij do të vendoset në hollin e Pallatit tëKongreseve ku do të zhvillohen dhe homazhet në nderim të tij. Në këto homazhe është paralajmëruar pjesmarrja e autoriteteve më të larta shtetërore. Kapiten Vogli është shpallur Dëshmor i Atdheut dhe trupi i tij do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve të kombit. Ceremonia funerale pritet të mbyllet rreth orës 15.

Gjatë sulmit të papritur ku humbi jetën kapiten Vogli, 31 vjecar, u plagos rëndë edhe nëntetar Aleksander Peci. Ky i fundit ju nënshtrua një ndërhyrjeje në një spital ushtarak në Kandahar. Fillimisht në gjendje kome, nëntetar Peci pati më pas një përmirësim të dukshëm. Dy ditë më parë ai ju nënshtrua një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, këtë herë në spitalin ushtarak amerikan të bazës ajrore të Bagramit në Kabul, ndërsa dje ai është transferuar në Gjermani, në spitalin ushtarak amerikan në Landstuhl.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që ju bashkua, që në vitin 2002, me forcat e saj ushtarake misionit paqeruajtës Isaf në Afghanistan. Aktualisht atje veprojnë mbi 300 trupa, të dislokuara në Kabul dhe në Herat. Së fundmi një njësi e trupave elitë të ushtrisë shqiptare është angazhuar edhe në misione luftimi. Shqipëria ka kontribuar me ekspertë të saj edhe në trajnimin e policis afgane.

Vrasja e kapiten Voglit, është humbja e parë e trupave shqiptare. Ngjarja e rëndë nuk e ka lëkundur qëndrimin ndaj angazhimit në Afganistan. Autoritetet më të larta të vendit, por edhe drejtuesit e opozitës shqiptare njëzëri kanë konfirmuar se Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj në këtë vend, përkrah aleatëve.

XS
SM
MD
LG