Lidhje

Në Shqipëri opozita vendos të rinisë protestat në muajin tetor


Në Shqipëri opozita vendos të rinisë protestat në muajin tetor
Në Shqipëri opozita vendos të rinisë protestat në muajin tetor

Opozita në Shqipëri ka vendosur të mos presë më gjatë për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me hetimin e zgjedhjeve të shkuara ,të cilën sipas saj, shumica e djtahtë në pushtet vetëm po e zvarrit. Kryetari socialist Edi Rama ditët e fundit në një tur takimesh nëpër rrethe e ka parlajmëruar qartë radikalizimin e qëndrimit duke ju rikthyer stinës së protestave. Mbrëmë në përfundim të një takimi me drejtuesit e partive të tjera opozitare në vend u dol dhe me një pozicion të përbashkët, i cili ju deklarua mediave nga kryetari i demokracisë sociale Paskal Milo:

“Vazhdimisht opozita në parlament është duke e kërkuar transparencën e procesit zgjedhor përmes marrëveshjes midis opozitës dhe mazhorancës. Për fat të keq, mazhoranca deri tani nuk po reflekton, për rrjedhojë nëse do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme një sjellje e tillë, nuk ka më kuptim të vazhdojë dialogu i shurdhërve. PS dhe Grupi Parlamentar i saj e kanë bërë të qartë se dialogu do të vazhdojë deri në një kufi të caktuar. Pra, ne do të presim edhe për fare pak kohë akoma për t’ju rikthyer protestave masive në të gjithë Shqipërinë dhe në kryeqytet, me qëllim që ta detyrojmë pozitën të respektojë rezolutën e PE. Kjo është çka u diskutua dhe u vendos”.

Protestat, sipas ish deputetit demokrat Spartak Ngjela, do të nisin në tetor:

“Ne vendosëm që të rifillojmë protestat masive. Ne morëm përsipër të drejtojmë njerëzit nëpër protesta sepse një populli që i janë shkelur të drejtat dhe nuk proteston, është i destinuar të mos ketë të ardhme. Protestat do të fillojnë në muajin tetor në të gjithë Shqipërinë derisa të caktojmë një datë brenda këtij muaji në Tiranë. Kanë manipuluar votat me një pushtet të paligjshëm. Kanë abuzim permanent të çdo ditshëm të cilin shoqëria e ka parë. Shoqëria kërkon protesta, ne do ta drejtojmë me përgjegjësinë tonë deri në largimin e kësaj qeverie, me dorëheqjen e kryeministrit aktual dhe me tërheqjen e kësaj qeverie nga skena politike, për të gjitha ato që thashë”.

Çështja e hetimit të zgjedhjeve ka mbetur në një pikë të vdekur. Bisedimet apo propozimet e palëve duket se vetëm i bien rrotull të njejtave argumenta të përdorura prej muajsh. Situata tani bëhet edhe më problematike duke qenë se në lojë është edhe çështja e kohës. Vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të ardhshme lokale të majit të ardhëshm me një atmosferë të nderë politike, pasojat e mundshme të së cilës është e vështirë të parashikohen.

XS
SM
MD
LG