Lidhje

Uashington, betejë e ashpër rreth buxhetit federal

  • Majkëll Bouman

Uashington, betejë e ashpër rreth buxhetit federal

Uashington, betejë e ashpër rreth buxhetit federal

Ndërkohë që disa ligjvënës amerikanë kërkojnë reduktim të ndjeshëm të buxhetit federal në kushtet e një deficit prej 1.6 trilionë dollarësh, një betejë e fortët ka filluar mbi të ardhmen e programeve qeveritare. Kjo betejë nuk është përqendruar deri tani tek programet që ofrojnë të ardhura dhe kujdes shëndetësor për pensionistët, megjithëse kostoja e këtyre programeve pritet të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme. Ndërkaq, një studim i ri tregon se amerikanët janë shumë të interesuar të shohin përmirësime në financat e vendit, por nuk duket se duan shkurtime të shërbimeve qeveritare apo rritje taksash për të përmbushur këtë qëllim.

Beteja për buxhetin që po përfshin Uashingtonin mund të analizohet në tre pjesë: shpenzimet aktuale të brendshme në programe që nuk lidhen me sigurinë, shpenzime në programe të tilla për të ardhmen dhe programet e ashtu-quajtura të garantuara si pensioni nga sigurimet sociale dhe kujdesi shëndetësor për pensionistët. Megjithëse ligjvënësit nga të dyja partitë dhe Shtëpia e Bardhë po diskutojnë të tria këto pjesë, diskutimi është përqendruar tek programet aktuale të brendshme që nuk lidhen me sigurinë. Republikanët duan të reduktojnë ndjeshëm shpenzimet federale këtë vit. Demokratët dhe Shtëpia e Bardhë nuk duan reduktime të tilla. Autorizimi qeveritar për të shpenzuar do të skadojë së shpejti gjë që shoqërohet me rrezikun e mbylljes së qeverisë federale deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

Ligjvënësit kanë gjithashtu detyrën për të miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm fiskal. Presidenti Barak Obama filloi diskutimet këtë javë me paraqitjen e buxhetit për vitin 2012 në Kongres, ku propozohet një ngrirje 5 vjeçare e shpenzimeve qeveritare dhe kufizimi ose heqja e shkurtimit të taksave për të pasurit dhe korporatat e fuqishme.

Republikanët, si Senatori nga Utah Orrin Hatch, nuk kanë mbetur të impresionuar:

"Gjatë 2 vjetëve të fundit, Presidenti dhe Kongresi kanë bërë shpenzime të palogjikshme. Shpenzimet në raport me ekonominë tonët janë në nivele që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Gjakrat u nxehën kur zyrtari i Shtëpisë së Bardhë për buxhetin, Jacob Lew dëshmoi në Kapitol këtë javë. Ligjvënësi republikan Tom Price e akuzoi zotin Lew dhe administratën se po shmangte një diskutim të hapur dhe të sinqertë për deficitin fiskal në vend.

"Ju nuk po i përgjigjeni pyetjes...”.

"Presidenti ka paraqitur një buxhet që ne mendojmë se përfshin hapat e parë shumë të rëndësishëm për të arritur një deficit të pranueshëm nga mesi i dekadës", u përgjigj zoti Lew.

Thirrja e presidentit për ngrirjen e shpenzimeve shihet si e pamjaftueshme nga republikanët, por si tepër e ekzagjeruar nga disa demokratë. Ligjvënësi nga Oregoni Peter Defazio thotë se nuk arrihet balancimi i buxhetit vetëm me kufizime në shpenzime.

"Kjo nuk arrihet vetëm me shkurtime. Duhet të jemi realistë”.

Shpenzimet e brendshme që nuk lidhen me programet e garantuara apo sigurinë përfaqësojnë më pak se 15 për qind të shpenzimeve federale. Anëtarë të të dyja partive si dhe administrata Obama pohojnë se gjendja fiskale e Amerikës do të vazhdojë të kërcënohet deri sa mungesat në fondin e programit Medicare të korrigjohen. Sekretari it Thesarit Timothy Geithner:

"Me kalimin e kohës do të shohim që këto programe të përfitimeve të garantuara do të hanë një përqindje më të madhe të të ardhurave kombëtare. Situata aktuale është e papërballueshme”.

Por republikanët po e sulmojnë presidentin që nuk ka përfshirë reforma të këtyre programeve në projekt-buxhetin e tij. Udhëheqësi i pakicës në Senat Mitch McConell e akuzoi zotin Obama se nuk përfillur këshillat e komisionit të tij për deficitin, i cili rekomandoi një reformim të përgjithshëm të programeve federale për të moshuarit dhe të varfrit.

"Ende presim nga presidenti të tregojë rol udhëheqës. Fakti është që nuk do të ketë reforma të këtyre programeve pa rol udhëheqës nga presidenti”.

Zyrtarë të administratës thonë se propozimet për reformimin e këtyre programeve do të paraqiten së shpejti, pasi të jenë diskutuar problemet e tjera në buxhet. Ndërkaq, demokratët akuzojnë republikanët për hipokrizi fiskale, duke nënvizuar se Amerika kishte një suficit buxhetor nën presidentin e mëparshëm demokrat Bill Klinton, që u shndërrua në deficit nën administratën e presidentit republikan Xhorxh Bush.

Politikanët amerikanë po i përgjigjen një mesazhi kontradiktor të popullit amerikan, shpjegon Michael Dimock i Qendrës Studimore Pew, e cila publikoi këtë javë një studim mbi opinionin publik për shpenzimet dhe borxhin qeveritar.

"Shkurtimi i shpenzimeve të brendshme gëzon mbështetje të madhe abstrakte. Por kur diskutohen zërat e buxhetit një nga një, njerëzit ballafaqohen me vlerat e këtyre programeve dhe shpesh anojnë nga shtimi i shpenzimeve se sa reduktimi për këto programe”.

Anketimet e kryera nga Qendra Studimore Pew çojnë në përfundimin se amerikanët duan të shohin një ndarje më të gjerë të sakrificave, kur është fjala për reduktime në buxhet dhe një përzierje zgjidhjesh për të eliminuar deficitin buxhetor.

"Pjesa dërrmuese e amerikanëve thonë se do të duhet një kombinim me rritje taksash e shkurtime në shpenzime për të zgjidhur deficitin me bashkëpunim dypartiak”.

Preferenca për një zgjidhje të kombinuar duket se anon nga propozimi i Presidentit Obama për buxhetin. Por amerikanët sapo zgjodhën një shumicë republikane në Dhomën e Përfaqësuesve dhe shtuan numrin e republikanëve në Senat. Pjesa më e madhe e republikanëve të rinj ka bërë premtime për të reduktuar shpenzimet federale dhe për të kundërshtuar rritje taksash. Deri tani këta republikanë po u përmbahen me forcë këtyre premtimeve.

XS
SM
MD
LG