Lidhje

Vrasja e Nemtsovit, pesë të dyshuar


Një gjyqtare ruse tha se një ish-komandant i policisë çeçene ka pranuar përfshirjen e tij në vrasjen e kreut të opozitës, Boris Nemtsov, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimin e katër të dyshuarve të tjerë.

Të pesë personat u paraqitën në një gjykatë të Moskës ndërsa po pyeten rreth vrasjes më 27 shkurt të zotit Nemtsov, kundërshtar i betuar i presidentit rus Vladimir Putin. Nemtsov u qëllua katër herë pas shpine ndërsa po ecte në një urë me të dashurën pranë Kremlinit.

Gjyqtarja Nataliya Mushnikova se tha njëri prej personave të akuzuar për vrasjen, ish komandanti i policisë çeçene Zaur Dadayev, nënshkroi një rrëfim megjithëse nuk u dhanë detaje për rolin e tij. Por gjykatësja tha se i dyshuari i dytë i akuzuar, Anzor Gubashev, mohoi përfshirjen e tij.

Pamjet televizive tregonin Anzor Gubashev, i cili punonte për një firmë private sigurie në Moskë, të ulur në një qeli burgu duke mbajtur një copë letër mbi fytyrë për të mos u dukur. Imazhet e tjera tregonin policë të armatosur rëndë që shoqëronin tre të dyshuar të tjerë në një sallë të vogël të gjykatës duke i kyçur ata në kafazet e hekurta.

Autoritetet i identifikuan tre të dyshuarit e tjerë si Ramsat Bakhajev, Tamerlan Eskerhanov dhe Shagid, vëllanë e vogël të Gubashevit. Ndërkohë, autoritetet thanë se i dyshuari i gjashtë e hodhi vetën në erë me një granatë ndërsa policia po përpiqej ta ndalonte atë në kryeqytetin çeçen, Grozni.

Para se gjykatësja të deklaronte përfshirjen e Dadayev-it në vrasje, nëna e tij, Aaimani Dadayeva, i tha agjencisë së lajmeve Interfax, se nuk mund ta besonte që i biri të kishte kryer një krim të tillë. Ajo tha se djali i saj ka një dekadë që punon për agjencitë ligjzbatuese çeçene.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG