Lidhje

Vrasja e Boris Nemtsovit


Dhjetëra mijëra vetë dolën dje në një marshim në Moskë, për të nderuar kujtimin e udhëheqësit të opozitës Boris Nemtsov, i cili u vra javën e kaluar kur po ecte pranë Kremlinit. Vrasja e kritikut të ashpër të udhëheqjes ruse është komentuar si akt hakmarrjeje nga Presidenti Putin, i cili akuzohet se ka krijuar një atmosferë frike dhe urrejtjeje në Rusi.

Aktivisti i opozitës, Boris Nemtsov pritej të udhëhiqte një protestë anti-qeveritare lidhur me krizën ekonomike dhe luftimet në Ukrainë. Por ai u qëllua për vdekje disa metra larg simbolit rus të fuqisë dhe autoritetit.

Mikhail Kasyanov, ish-kryeministër nën Presidentin Vladimir Putin, fajësoi histerinë nacionaliste pro-Putinit për këtë vrasje.

“Mjafton të shohësh se çfarë parullash mbanin në tubimin e fundit. Ata shpreheshin hapur: të shkatërrojmë kolonën e pestë. Borisi ishte kundër kësaj fryme dhe luftoi kundër saj”.

Zoti Kasyanov thotë për Zërin e Amerikës se vrasja mund të shtyjë edhe rusë të tjerë ta kuptojnë se autoritetet po ushqejnë frikë dhe urrejtje:

“Shumë rusë nuk do të qëndrojnë indiferentë ndaj vrasjes së Nemtsovit. Jam i bindur se njerëzit kanë filluar t’i analizojnë gjërat”.

Nën masa të forta sigurie, nën një qiell të zymtë dhe në një atmosferë solemne, marshuesit mbanin tabela ku shprehnin se nuk kishin frikë. Por ka edhe nga ata që e presin me shqetësim të ardhmen:

“E dua shumë vendin tim dhe jam shqetësuar shumë nga këto zhvillime. Pa dyshim që do të flas kundër tyre. Edhe Nemtsovi fliste kundër tyre dhe prandaj e vranë. Kjo do të thotë që edhe mua mund të më vrasin”.

Megjithë pjesëmarrjen e lartë, kjo turmë përfaqëson pakicën. Ata vranë një figurë që po luftonte për lirinë dhe të ardhmen e vendit, thotë inxhinieri Leonid:

“Nuk di se çfarë do të sjellë e ardhmja. Dikur ekzistonte “Perandoria e së Keqes”. Tani kemi “Perandorinë e Gënjeshtrave”. Propaganda e Putinit është shumë e fuqishme. Njerëzit mashtrohen. Prandaj nuk mund të bindësh dot shumicën, vetëm pjesa më e ndërgjegjshme ka dalë”.

Nemtsovi po përgatiste një raport mbi mbështetjen që Rusia u jep kryengritësve në Ukrainë; Kremlini këmbëngul se nuk ka lidhje me separatistët.

Udhëheqësi i opozitës Ilya Yashin thotë se një ditë para vrasjes së Nemtsovit kishte diskutuar me të mbi raportin.

“Ai më tha se kishte në plan të mblidhte prova për praninë e ushtarëve rusë në Ukrainë. Për fat të keq nuk arrita të mësoj hollësitë”.

Në një intervistë ekskluzive që dha për Zërin e Amerikës në shtator, Boris Nemtsov tha se luftimet në Ukrainë do të ndaleshin vetëm kur të ndalej Putini. Ai u shpreh se Rusia po bëhej një shtet fashist.

“Çfarë është fashizmi? Një sistem një partiak. Këtu kemi një sistem një partiak. Fashizmi është propagandë e stilit të Gebelsit. Këtu kemi një propagandë të tillë”.

Presidenti Putin po mbikqyr punën e agjencive që po hetojnë vrasjen e Nemtsovit. Ai e ka cilësuar vrasjen, një akt provokativ.

Megjithë bujën që ka shkaktuar, të paktë janë ata që besojnë se do të gjenden autorët e vrasjes.

XS
SM
MD
LG