Lidhje

Ligji i Nëpunësit civil, reagime për shtyrjen


Kryetari i PD Lulzim Basha: Ky akt riciklon konfliktualitetin politik. Zëdhënësi i komisionerit Fyle: Ishte amendim teknik që zgjidhi një ngërc ligjor

Në Shqipëri partia demokratike deklaroi sot se vendimi i mbrëmshëm i qeverisë së kryeministrit Rama për të shtyrë efektet e ligjit për nëpunësin civil është një goditje ndaj konsensusit dhe ricklim i konfliktit politik në vend. Argumentat e qeverisë për aktin e saj, kryetari demokrat Lulzim Basha tha se janë vetëm një alibi për të mundësuar spastrimet në administratë. Por nga Brukseli, zëdhënësi i komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, vendimi i qeverisë shqiptare ka qenë një ndërhyrje që ka zgjidhur një problem teknik, dhe sipas tij kjo nuk përbënte ndonjë cështje.


Qeveria e kryeministrit Edi Rama, e justifikoi vendimin e mbrëmshëm për të shtyrë efektet e ligjit për nëpunësin civil deri në prillin e ardhshëm me “pazbatueshmërinë e tij për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit, kohën e pamjaftueshme për të bërë rregullime ligjore sipas procesit legjislativ, nevojën për organizimin institucional, efektet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare”.

Por për kryetarin e partisë demokratike Lulzim Basha ky argumentim: “Eshtë një alibi e qepur trashë dhe e shitur keq, në funksion të vetëm një motivi: spastrimi i administratës. Ligji e mbronte administratën me efekt prapaveprues nga data 1 korrik”.

Ligji për nëpunësin civil është miratuar me tre të pestat e parlamentit, dhe cdo ndryshim do të këronte sërish këtë shumicë të cilësuar. Për të anashkaluar përkohësisht këtë moment, për shkak të kundërshtive të hapura të opozitës, qeveria përdori në këtë rast Aktin normativ për vendimin e saj, i cili ka një fuqi ligjore me një kohështrirjeje prej 45 ditësh, brenda së cilave duhet të marrë edhe pëlqimin e parlamentit. Edhe nëse nuk do të kërkojë të arrijë një shumicë të cilësuar të sforcuar, me ndonjë votë nga e djathta, dhe akti normativ do të rrëzohej, qeveria i ka dhënë vetes të paktën 1 muaj e gjysëm kohë, për të bërë ato ndryshime që ligji i ri nuk ja mundësonte. Për herë të parë ligji i Nëpunësit civil krijon një mbrojtje të fortë për punonjësit e administratës.

Ai është një nga tre ligjet e kërkuara nga Brukseli si kusht që Shqipëria të mund të marrë Statusin e vendit kandidat dhe u miratua me konsensusin e palëve në parlament më 30 maj. Dhe këtij elementi i mëshojnë me forcë demokratët të cilët nesër do të mbledhin grupin parlamentar e do të diskutojnë dhe me aleatët për qëndrimin që do të mbajnë: “Mbrëmë, ky konsensus u qëllua për vdekje me koburen arbitrare dhe anti-kushtetuese të aktit normativ. Duke vënë mbi interesat madhore të vendit, interesa egoiste dhe meskine, Rama hodhi poshtë mbrëmë me një firmë të vetme, konsensusin unanim të mbarë Kuvendit. Opozita nuk e pranon këtë akt që godet në palcë konsensusin politik si vlerë, që rrezikon aspiratën tonë integruese në Europë dhe riciklon konfliktualitetin politik në vend”, tha zoti Basha.

Por për Brukselin vendimi i mbrëmshëm i qeverisë është thjesht një akt teknik, tha sot Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle. “Qeveria ndërmori dje hapa për të shmangur boshllëkun ligjor që do të krijohej nga hyrja në fuqi e ligjit të ri të pandryshuar i cili shfuqizonte ligjin e vjetër. Pra amendimi teknik që u mor dje zgjidhi këtë ngërc është thjesht teknik dhe nga pikëpamja jonë këtu nuk ka ndonjë çështje. Rëndësia e këtij ligji mbetet e njëjtë dhe ai do të zbatohet pasi të kenë hyrë në fuqi aktet nënligjore dhe deri atëherë do të përdoret ligji i vjetër pa krijuar kështu vakuum ligjor. Ky problem teknik u zgjidh nga vendimi i djeshëm teknik i qeverisë”, deklaroi zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG