Lidhje

Shtyhet ligji për nëpunësin civil


Në Shqipëri qeveria miratoi mbrëmë shtyrjen e efeteve të ligjit për nëpunësin civili I cili hyn sot në fuqi. Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka përdorur një akt normativ, i cili ka në vetvete fuqinë e ligjit dhe vepron si i tillë deri në momentin kur i nënshtrohet votës në parlament brenda 45 ditëve. Sipas qeverisë shkak është bërë “pazbatueshmëria e ligjit si pasojë e mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit”. Ky akt rrezikon të acarojë situatën politike. Opozita e ka kundërshtuar fort dhe i ka quajtur absurde argumentat e qeverisë, ndërsa ka nënvizuar faktin se ky ligj është miratuar me konsensus. Sipas saj gjithshka bëhet që shumica të ketë duart e lira për të bërë spastrime në radhët e administratës

Qeveria ju përmbajt argumentave të përdorura këto ditë në debatin e hapur për ligjin e Nëpunësit civil duke shpjeguar se vendimi i saj i mbrëmshëm për të shtyrë me 6 muaj efektet e tij është marrë duke patur në konsideratë “pazbatueshmërinë e tij për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit, kohën e pamjaftueshme për të bërë rregullime ligjore sipas procesit legjislativ, nevojën për organizimin institucional, efektet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare”.

Por opozita e ka quajtur prej ditësh absurd një argument të tillë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha shpjegoi se “Ligji vetë parashikon që aktet nënligjore hartohen brenda tre mujave të ardhshme. Nuk ka asnjë vakuum përsa i përket mbrojtjes që ligji i bën administratës publike dhe detyrimeve që ajo ka në kryerjen e detyrave të përditshme. Të gjitha cështjet e tjera trajtohen nga rregullore apo akte nënligjore si dhe vendime të Këshillit të ministrave ekzistuese, të cilat përsa kohë nuk bien në kundërshtim me frymën e ligjit mund të vazhdojnë të përdoren deri në hartimin e akteve të tjera, për të cilat vetë ligji parashikon një afat tremujor”, saktësoi zoti Basha.

Ligji për nëpunësin civil ishte një ndër tre ligjet miratimi i së cilëve ishte një kusht i vendosur nga Brukseli në mënyrë që Shqipëria të mund të përfitojë statusin e vendit kandidat. Ai u miratua majin e shkuar me konsensusin e palëve, duke qenë se kërkon një shumicë të cilësuar në parlament. Për të anashkaluar përkohësisht këtë moment, për shkak të kundërshtive të hapura të opozitës, qeveria përdori në këtë rast Aktin normativ për vendimin e saj, i cili ka një fuqi ligjore me një kohështrirjeje prej 45 ditësh, brenda së cilave duhet të marrë edhe pëlqimin e parlamentit. Edhe nëse nuk do të kërkojë të arrijë një shumicë të cilësuar të sforcuar, me ndonjë votë nga e djathta, dhe akti normativ do të rrëzohej, qeveria i ka dhënë vetes të paktën 1 muaj e gjysëm kohë, për të bërë ato ndryshime që ligji i ri nuk ja mundësonte. Për herë të parë ligji i Nëpunësit civil krijon një mbrojtje të fortë për punonjësit e administratës. Eshtë për këtë shkak që opozita pretendon se shumica e majtë synon të realizojë spastrime politike.

Por përvec kësaj ajo i mëshon faktit se shumica e re po shkel mbi konsensusin e arritur duke paralajmëruar se po i jepet një goditje shumë e fortë raporteve të ardhshme mes palëve, të cilat do të duhet të gjejnë konsensus edhe për cështje të tjera shumë të rëndësishme në muajt dhe vitet që do të pasojnë. Sipas opozitës ky veprim mund të jetë me pasoja edhe për marrjen e statusit në fund të vitit. Në Bruksel, gjatë vizitës së para dy javëve të kryeministrit Edi Rama, përfaqësuesit e lartë të Bashkimit europian i mëshuan rëndësisë së dialogut politik dhe frymës së bashkëpunimit mes palëve në procesin e integrimit europian të vendit.

Po në mbledhjen e mbrëmshme qeveria mori mbi 30 vendime të tjera, pjesa dërrmuese e të cilavë ishin anullim i vendimeve të qeverisë Berisha të marra pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Shumë prej tyre kishin të bënin me kalime pronësie apo koncesione për ndërtim hidrocentralesh.
XS
SM
MD
LG