Lidhje

Nesër, raundi i dytë i bisedimeve Prishtinë-Beograd


Nesër, raundi i dytë i bisedimeve Prishtinë-Beograd

Nesër, raundi i dytë i bisedimeve Prishtinë-Beograd

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të takohen nesër sërish në Bruksel për të vazhduar bisedimet e filluara më 8 mars, në të cilat qenë diskutuar lëvizja e lirë, dokumentet e regjistrimit civil, çështjet e doganave, hapësirës ajrore dhe të marrëveshjeve rajonale.

Nesër ndërkaq pritet që këtyre çështjeve t’u shtohen edhe problemet me energjinë, ndërsa përfaqësuesit e të dyja palëve thonë se gama e temave të diskutuara mund të shtohet. Ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian e kanë cilësuar takimin e parë si konstruktiv dhe kanë shfaqur bindjen se të dyja palët, do të vazhdojnë që në një frymë të tillë të debatojnë të gjitha çështjet praktike të interesit të ndërsjellë, duke shmangur fillimisht çështjet që lidhen me statusin politik të Kosovës.

Të dyja delegacionet ndërkaq, në shtëpi kanë lënë qëndrime të ndryshme rreth bisedimeve. Zyrtarët serbë thonë se ato janë në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje të konfliktit shqiptaro serb, ndërsa opozita në Beograd, thotë se bisedimet do të çojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Në Prishtinë, opozita thotë se bisedimet janë në favor të Serbisë dhe Kosova nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre në këtë periudhë kur Beogradi refuzon të njoh pavarësinë e Kosovës dhe kontrollon një pjesë të territorit të saj me strukturat paralele.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e sheh ndryshe rezultatin e këtyre bisedimeve. “Dua të besoj fuqishëm se ky dialog do të përmbyllet me njohjet reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse ky është edhe një kriter tjetër demokratik për t’u integruar dy vendet tona në NATO dhe në Bashkimin Evropian”.

Ai është i bindur se këto bisedime do të ndihmojnë edhe tejkalimin e konfliktit shqiptaro serb. “Pajtimi shqiptaro serb do të ndodhë. Do të përmbyllet njëherë e përgjithmonë kapitulli i konfliktit njëshekullor mes shqiptarëve dhe serbëve. Ky kapitull do të përmbyllet vetëm me integrimin e plotë të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në NATO dhe në Bashkim Evropian. Pra, kur të fitojnë vlerat euro-atlantike edhe në rajoni tonë”.

Vëzhguesit e pavarur thonë se hyrja në bisedime me Serbinë pa hedhur kuadrin e këtyre bisedimeve nuk do t’i sjell përparim Kosovës e cila në vjeshtën e këtij viti nuk do të ketë përparim në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, sipas tyre, në vjeshtën e këtij viti, Beogradi mund të jetë i legjitimuar si palë pa të cilën nuk mund të lëvizë asgjë në Kosovë dhe për më tepër Beogradi mund të legjitimohet si një vend më afër Bashkimit Evropian. Autoritetet ndërkaq e shohin edhe Kosovën më afër proceseve integruese në fund të këtyre bisedimeve.

Sidoqoftë. përfaqësuesit e të dyja palëve pritet të shpeshtojnë takimet në muajt që vijnë dhe diplomatët ndërkombëtarë shpresojnë në afrimin e të dyja palëve dhe shkrirjen e marrëdhënieve të ngrira për shkak të refuzimit të Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës, të cilën deri tash e kanë njohur 75 vende të botës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG