Lidhje

Irani në krye të axhendës së z. Netanyahu në SHBA

  • Robert Berger

Kryeministri izraelit fillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara, me shpresën për të balancuar aktivitetin diplomatik dhe mediatik të Presidentit të ri iranian që duket se ka zbutur marrëdhëniet e Iranit me Perëndimin.

Irani do të jetë tema qendrore e bisedimeve të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu kur të vizitojë Shtëpinë e Bardhë sot dhe të flasë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën. Vizita e tij pason atë që shumë komentatorë e kanë cilësuar si “ofensivë sharmi” në Shtetet e Bashkuara nga Presidenti i ri iranian Hassan Rouhani, i cili është cilësuar si udhëheqës i moderuar nga disa zëra në Perëndim.

Zoti Netanyahu është shumë i shqetësuar nga ulja e tensioneve mes Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar, duke thënë se Teherani po i shfrytëzon këto bisedime për të zbutur sanksionet dhe për të blerë kohë për prodhimin e një arme bërthamore:

"Unë do të them të vërtetën,” tha zoti Netanyahu në aeroportin e Tel Avivit para se të nisej në Shtetet e Bashkuara. Ai shtoi se do të paraqesë “faktet përballë fjalëve të ëmbla dhe ofensivës me buzëqeshje”.

Zoti Rouhani tha para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se programi bërthamor i Iranit ka synime paqësore dhe se armët atomike bien ndesh me bindjet fetare dhe etike të vendit të tij.

Por Izraeli e konsideron programin bërthamor iranian si një kërcënim ndaj ekzistencës së tij dhe i trembet mundësisë që bota po gënjehet për synimet e vërteta të Teheranit. Danny Ayalon është ish-zëvendës ministër i jashtëm i Izraelit.

"Nuk duhet të biem në këtë grackë”.

Ai thotë se veprimet e Iranit flasin më qartë se fjalët.

"Nëse janë të gatshëm të bëjnë angazhime serioze si për shembull të ndalin centrifugat dhe pasurimin e uraniumit, të ofrojnë mundësi për inspektim dhe çdo gjë që nevojitet në një mënyrë transparente, këtë nuk e kemi ende të qartë. Prova e vërtetë duket vetëm tek faktet, jo tek fjalët”.

Një incident tensionues për marrëdhëniet mes dy vendeve ishte njoftimi i Izraelit se ka arrestuar një agjent iranian. Shërbimi izraelit i sigurimit Shin Bet njoftoi se personi ishte dërguar nga Roja Revolucionare e Iranit për të hapur biznes në Izrael si fasadë për aktivitet spiunazhi.

Personi i akuzuar për spiunazh u përshkruar si shtetas belg me origjinë iraniane, i cili ishte kapur duke marrë në fotografi objekte izraelite dhe ambasadën amerikane në Tel Aviv. Sipas agjencisë Shin Bet, ai kishte pranuar se ishte agjent, duke shtuar se shërbimet iraniane të zbulimit i kishin premtuar 1 milion dollarë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG