Lidhje

Kryeministri Rutte fitues i zgjedhjeve në Holandë


Vlerësimet e para të zgjedhjeve të së mërkurës në Holandë e nxjerrin kryeministrin Mark Rutte fitues të tyre duke lënë prapa Partinë për Liri të Geert Wildersit, me qëndrime të ashpra kundër fesë islame dhe Bashkimit Evropian.

Partia Popullore për Liri e Demokraci e qendrës së djathtë e kryeministrit Rutte, thuhet të ketë fituar 31 vende, më shumë se cilado nga partitë e tjera përfshire edhe atë të Geert Wilders.

Mark Rutte
Mark Rutte

Sido që të jetë formimi i qeverisë kërkon koalicion partish politike dhe bisedimet rreth tyre mund të zgjasin më muaj, ndërsa partitë e mëdha kanë lënë të kuptohet se nuk do të punojë me Wildersin.

Kandidimi i Wildersit është parë si një sprovë për valën e popullizmit që ka përfshirë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Pas votës së britanikëve për t'u larguar nga Bashkimi Evropian, fama e Wilderist ishte parë si një paralajmërim tjetër se bashkëpunimi i kombeve evropiane është i kërcënuar.

Geert Wilders
Geert Wilders

Partia e tij fitoi 19 vende ne parlamentin prej 150 vendesh. Demokristianët dhe partia e qendrës D66 po ashtu fituan nga 19 vende. Laburistët, partnerë të kryeministrit Rutte që nga viti 2012, fitoi vetëm 9 vende nga 38 sa kishte pasur më parë.

Zgjedhjet në Holandë ishin sprova e parë para zgjedhjeve që pritet të mbahen muajin e ardhshëm në Francë dhe atyre në Gjermani në muajin shtator e të cilat vlerësohen me rëndësi të jashtëzakonshme për funksionimin e Bashkimit Evropian.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Holandë priten të enjten.

XS
SM
MD
LG