Lidhje

Shkup: Fillon punë Universiteti "Nënë Tereza"

  • Isak Ramadani

Të enjten në Shkup filloi nga puna universiteti i ri shtetëror “Nëna Terezë”. Universiteti ende nuk ka objektin e vet dhe mësimet do të mbahen në universitetin e Evropës juglindore deri sa të ndërtohet një ndërtesë e re. Nga ana tjetër, ka pasur mjaft kritika ndaj universitetit të ri për shkak të dyshimeve për lidhje të afërta partiake të kuadrit të tij me partinë shqiptare në pushtet të Maqedonisë.

Universiteti i ri Nëna Terezë në Shkup sot filloi me punë. Ky universitet shtetëror në gjuhën shqipe nuk ka objektin e vet. Ora e parë akademike u mbajt në ndërtesën e Lidhjes së Sindikatave, ndërsa procesi do të zhvillohet në godinën e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup. Një objekt i veçantë është në plan të filloijë të ndërtohet nga viti i arshëshëm. Universiteti i ri ka pesë fakultete: Shkenca Sociale, Shkenca Informatike, për shkenca teknologjike, shkenca teknike dhe Fakultetin për Ndërtimtari dhe Arkitekturë. Por, autoritetet nuk folën për numrin e studentëve të regjistruar.

Rektori i Universitetit Nëna Terezë, Aziz Pollozhani gjatë një fjalimi para studentëve të rinj dhe mysafirëve tha se shqiptarët në Shkup kishin nevojë për një organizim të arsimit të lartë dhe se kjo bëhet për zhvillimin gjithpërfshirës të vendit. Ai premtoi se universiteti do të sigurojë studime cilësore dhe një jetë të dinjitetshme për studentët.

Ndërsa, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu tha se fakultetet të cilat fillojnë të punojnë sot janë themeluar me drejtime mirë të analizuara, sipas kërkesës së tregut të punës. “Të rinjve u ofrohen mundësi të cilat janë në pajtim me kërkesat e kohës dhe botës”, tha ministri.

Themelimi i këtij universiteti, megjithatë ka nxitur debate në opinionin publik, me një pjesë të kritikëve të cilët thonë se kuadri i universitetit të ri janë anëtarë ose persona të afërt me Bashkimin Demokratik për Integrim, apo se nuk ka kapacitet edhe për një universitet në gjuhën shqipe për shkak të mungesës së mësimdhënësve me tituj shkencorë. Por, drejtusit e universitetit të ri edhe Ministria e Arsimit i kanë hedhur poshtë zërat për afrinë e profesorëve të universitetit Nëna Terezë me partinë në pushtet, ndërsa kanë theksuar numrin e kënaqshëm të titujve të domosdoshëm shkencorë të pedagogëve në këtë institucion arsimor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG