Lidhje

Vaksinë e re kundër Hepatitit C

  • Jessica Berman

注

Ekspertët thonë se rreth 118 milionë njerëz në mbarë botën, kryesisht në vendet në zhvillim, janë të infektuar me Hepatitin C, që mund të çojë në vdekje të hershme nga kanceri i mëlçisë. Tani, shkencëtarët po testojnë një vaksinë që ka treguar shenja premtuese në parandalimin e sëmundjes.

Njoftimi kohët e fundit i një kure për Hepatitin C bëri bujë të madhe. Sëmundja që më parë ishte rezistente ndaj trajtimeve më të mira u mposht papritmas, por ilaçet për luftimin e sëmundjes së mëlçisë kanë një çmim të madh. Kostoja e ilaçeve për shërimin e një infeksioni të Hepatitit C është rreth 80 mijë dollarë, një çmim që shumica e njerëzve nuk mund ta përballojnë.

Një zhvillim tjetër i madh është në horizont, një vaksinë që mbron njerëzit nga infeksionet me Hepatitin C. Ilaçi është një kombim i nje virusi joaktivë gripi të një shimpanze dhe një proteine të hepatitit. Ky ilaç stimulon prodhimin e mijëra qelizave kyçe të sistemit imunitar për t’u mbrojtur kundër infeksionit me virusin.

Eleanor Barnes është një shkencëtare që punon në Departamentin e Mjekësisë të Universitetit të Oksfordit në Britani. Ajo thotë se ilaçet e reja me kosto të lartë mund të shërojnë Hepatitin C, por ato nuk mund të parandalojnë infeksionet me një virus të një lloji tjetër.

"Vaksina, në qoftë se është e efektshme, mund të mbrojë pacientët me një ose dy injeksione gjatë gjithë jetës së tyre. Pra, vaksinat vërtet kanë treguar se janë një ilaç shumë më i mirë".

Zonja Barnes i bëri komentet në një intervistë për revistën Science Translation Medicine. Në këtë revistë është botuar një artikull mbi punën e saj me një ekip ndërkombëtar për zhvillimin e një vaksine kundër Hepatitit C.

Lloje të ndryshme të Hepatitit C janë të zakonshme në pjesë të ndryshme të botës. Zonja Barnes thotë se ka prova që vaksina eksperimentale mund t’i mbrojë njerëzit nga më shumë se sa një lloj i këtij virusi.

Vaksinat zakonisht projektohen për të mobilizuar antitrupat në luftimin e një infeksioni. Antitrupat janë të parët që përballen me virusin dhe stimulojnë një sulm të gjerë kundër tij.

Për dallim nga kjo formë e vaksinës, zonja Barnes thotë se ekipi i saj po punon në krijimin e një vaksine e cila stimulon një përgjigje të fortë të qelizave trumzë. Këto qeliza janë armë të tjera mbrojtëse në sistemin imunitar të trupit. Ky lloj i qelizave luftarake vë në shënjestër pjesë të shumta të virusit.

Ashtu si HIV-i, virusi që shkakton sidën, edhe Hepatiti C ndryshon shpejt, duke penguar zhvillimin e një vaksine kundër tij. Zonja Barnes thotë se pacientët e prekur nga Hepatiti C, ashtu si të infektuarit me HIV, shpesh shkojnë te mjeku në një fazë të përparuar të infeksionit, kur ata fillojnë të ndjehen të sëmurë.

"Shumë pacientë shkojnë të mjeku kur sëmundja e tyre është në një fazë shumë të avancuar sepse sëmundja e tyre është e heshtur deri sa të bëhet një sëmundje e mëlçisë e lidhur me fibrozën dhe kancerin në mëlçi".

Deri tani, vaksina ka kaluar provat e hershme klinike të cilat kanë treguar se ajo është e sigurt për përdorim tek njerëzit. Hulumtimi i hap rrugën provave më të avancuara klinike në Shtetet e Bashkuara në mesin e përdoruesve të drogës, të cilët janë në rrezik më të lartë nga infektimi me këtë virus.

Vaksina shkakton efekte anësore afatshkurtra duke përfshirë lodhje dhe migrenë.

Hepatiti C gjithashtu mund të përhapet nga transfuzioni i gjakut, ndarja e mjeteve të rrojes ose brushës së dhëmbëve me dikë që ka sëmundjen, ose nëpërmjet kontaktit seksual.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG