Lidhje

Qendra Botërore e Tregtisë


Pamje të mrekullueshme të të gjithë Nju Jorkut dhe deri në brigjet e Oqeanit Atlantik u bënë të disponueshme për publikun me inaugurimin e një tarrace vrojtimi në majën e Qendrës së Tregtisë “One World”, e cila zëvendësoi ndërtesat e shkatërruara nga sulmet e 11 shtatorit 2001.

Theksi u vendos tek e ardhmja e Nju Jorkut, por duke kujtuar edhe të shkuarën. Njerëz nga e gjithë bota mbajtën radhë për t’u ngjitur në majën e kësaj ndërtese të re plot shkëlqim, e cila arrin lartësinë 541 metra, duke qenë kështu ndërtesa më e lartë në kontinentin e Amerikës së Veriut.

Ajo u përfundua në fillim të këtij viti dhe u deshën disa vite pune, 45 mijë ton çelik dhe 159 mijë metër kub beton, me të cilat u ndërtuan 28 mijë metra katrorë hapësira zyrash.

Tarraca e vëzhgimit ishte objekti më i fundit që u hap për publikun. Dave Checketts është drejtor i firmës Legends, që menaxhon objektin.

“Jemi rikthyer tashmë. E ringritëm këtë ndërtesë.”

Observatori shtrihen në tre kate të ndërtesës, në katet 100 deri në 102. Për t’u ngjitur atje përdoret një ashensor që udhëton për 47 sekonda duke shpalosur gjatë rrugës pamjë panoramike të Nju Jorkut dhe të rajonit. Sapo dalin nga ashensori, vizitorëve u shfaqet një tjetër video me pamje të personave që ndihmuan në ndërtimin e kullës së parë të Qendrës Botërore të Tregtisë, e njohur ndryshe dhe si Kulla e Lirisë. Më në fund, pamjet kulmojnë me Manhatanin dhe deri larg në horizont. Në një ditë të kthjellët, syri mund të vështrojë deri në 80 kilometra distancë në të gjitha anët.

Në hyrje u pre një shirit për publikun, i cili mund ta vizitojë me një biletë prej 30 dollarësh. Por, kjo nuk ishte ajo ç’ka mbizotëroi në mendjet e vizitorëve të ditës së parë.

“Është shumë mbresëlënëse. E shkëlqyer,” thotë një vizitor nga Gjermania.

“Është fantastike,”, thotë një vizitor nga Holanda.

“Tashmë kam përmbushur edhe një tjetër dëshirë timen,” thotë një vizitor nga Arizona.

Ndërsa për një vizitor nga Luksemburgu:

“Vendi im ndihmoi në ndërtimin e kësaj ndërtese. Nga ne vijnë trarët e çelikut të vendosura në themel. Pra, vendi më i vogël i botës ka ndihmuar qytetin më të fuqishëm të botës.”

Një nga pronarët e firmës Legend, është Jerry Jones, pronar i skuadrës “Dallas Cowboys”, i cili përmbledh ndjesitë e njerëzve që kujtojnë 11 shtatorin.

“Kësaj i thonë që pasi të kanë rrënuar të ngrihesh sërish në këmbë. Kështu e mendojmë veten në këtë vend.”

Observatori do t’i sjellë autoritetit portual të Nju Jorkut të ardhura të garantuara prej 875 milionë dollarësh për 15 vitet e ardhshme, duke filluar nga dita e inaugurimit. Por, ndoshta më e rëndësishmja ishte të shikoje Qendrën Botërore të Tregtisë si një vend kujtese dhe shprese për të ardhmen.

XS
SM
MD
LG