Lidhje

2014: Fishekzjarret ndriçuan qiejt në mbarë botën


Fishekzjarret ndriçuan qiejt ndërsa njerëzit në mbarë botën, festuan çastet e para të 2014-ës.

Në New York rreth një milionë njerëz sfiduan temperaturat e ulëta, nën rregullat e forta të sigurisë, duke pritur për disa orë në sheshin Times Square, për të parë rënien e lirë të sferës gjigande prej kristali që shënoi orën 12 dhe fillimin e ditës së parë të vitit 2014.

Butoni që bën të lëvizë sferën e vitit, këtë herë nuk u shtyp nga kryetari i bashkisë në largim Michael Bloomberg dhe as nga kryetari i ri Bill de Blasio. Mbrëmë nderin për të kryer këtë veprim tradicional e pati një njujorkeze e njohur, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Sonia Sotomayor.

New Yorku ishte vetëm njëri prej qyteteve në mbarë botën, me sheshet publike të mbushura nga turmat e njerëzve, në prag të festimeve të mesnatës.

Në Londër, të pranishmëve ju ndanë karamele me shije bananeje, ndërsa shikonin fishekzjarret mbi sheshin Trafalger.

Ndoshta shafqja më marramendëse ishte në Dubai, të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku fishekzjarret ndriçuan Burj Khalifa-n, ndërtesën më të lartë në botë.

Mijëra njerëz patën rastin ta shohin këtë shfaqje të përkryer të teknikës, që shkëlqeu me drita vezulluese qiellin e Dubait. Organizatorët e shfaqjes synonin të shënonin një rekord botëror për shfaqjen më të madhe dhe më ekstarvagante, me gjysëm milioni fishekzjarre.

Në Moskë, Kulla Spass-kaya në Sheshin e Kuq, po ashtu u ndriçua nga një shfaqje e madhe me fishekzjarre në kryeqytetin rus. E pazakonta këtë vit, ishin temperaturat e larta dhe mungesa e borës.

"I uroj të gjithëve një vit me fat dhe në paqe, pa konflikte dhe pa luftra. Uroj që të gjithë të jenë të lumtur dhe të mos ketë katastrofa.”- tha një banore e Moskës.

Në Pekin, shfaqja me drita ndriçoi pjesë të Murit të Madh kinez, ku interpretuan një numër i madh artistësh.

Në Tokio, këmbanat që ranë tek njëri nga tempujt, shënuan fillimin e Vitit të Ri, këtë herë Viti i Kalit. Në Japoni këmbanat bien 108 herë për të shënuar Vitin e Ri, një traditë e vjetër budiste:

"Tokio fitoi konkursin për mbajtjen e Lojërave Olimpike të 2020-ës. Shpresoj që ky vit do të jetë i lumtur për ne japonezët.” - tha një banore

Në Manila, kryeqyteti i ishujve Filipine, turmat e njerëzve kishin dalë nëpër parqe për të parë fishekzjarret, ndërsa në Xhakartë të Indonezisë, zyrtarët e turizimit thanë se në festat e organizuara nëpër rrugë morën pjesë 2 milionë vetë.

Edhe në Sydney të Australisë, rreth 2 milionë njerëz ishin mbledhur në Portin e famshëm të qytetit, për të marrë pjesë në festime. Fishekzjarrët këtë herë u hodhën nga anijet, që ndriçuan qiellin mbi ndërtesën e Operas së Sydneit.

Qyteti që e priti i pari në botë Vitin e Ri me fishekzjarre shumëngjyrëshe ishte Auckland-i i Zelandës së Ze. Gëzuar 2014-ën!
XS
SM
MD
LG